Sadiku lë Bardhin të vetëm te Levante, rikthehet në Zvicër!

Mediet zvicerane lëshojnë një lajm të bujshëm në lidhje me sulmuesin e kombëtares shqiptare, Armando Sadiku.

Sulmuesi elbasanas lidhet me një rikthim të mundshëm në Zvicër, te skuadra e Luganos, gjë kjo që sipas “Corriere del Ticino” mund të ndodhë që në janar.

Ideja e bashkimit të rrugëve sërish nuk shihet mision i pamundur për ish-klubin e 27-vjeçarit.

Lidhja emocionale dhe miqësore mes palëve ekziston, pasi Sadiku me Luganon ka luajtur në dy periudha të ndryshme. Fillimisht ai ishte pjesë e kësaj skuadre nga viti 2012 deri në vitin 2014, që më pas të luaj edhe gjatë vitit 2017-të, kur  më pas vendosi të transferohej te skuadra e Cyrihut, për të vijuar më pas aventurën e tij jashtë Zvicrës, fillimisht në Poloni te skuadra e Legia Varshavës dhe më vonë edhe te Levante. Te kjo e fundit Sadiku u transferua në janar, ndërsa aty gjeti mesfushorin shkupjan, Enis Bardhi. Një dëmtim i rëndë në gju, la atë jashtë fushave për një periudhë shumë të gjatë, ashtu që me siguri se edhe vetë Sadiku nuk do të refuzonte ndoshta një rikthim te Lugano, për të cilën skuadër në 62 ndeshje kishte realizuar 38 gola.

Hapësirat te Levante do të jenë shumë të pakta për të, duke pasur parasysh se elbasanasi luajti shumë pak dhe kur nuk ishte i dëmtuar, ndërsa pas problemeve që kaloi do të ketë më pak shanse, pa harruar faktin se Levante është një nga surprizat e sezonit në La Liga, duke u renditur aktualisht në pozitën e 6-të.

Te Lugano, Sadiku do të kishte hapësira dhe minuta për të marrë veten dhe mund të shënonte gola që mund t’i kthenin besimin. Ekipi zviceran e do në formë huazimi dhe më pas shqiptari do të kthehej në qershor në Spanjë gati për të luftuar për një vend titullari te Levante. Një pistë intrigante, por mbetet për t’u parë nëse e njëjta do të gjente edhe realizimin.

Leave a Reply