Vardari rrezikon pjesëmarrjen në garat europiane!

Skuadra nënkampione e vjeshtës në elitën e futbollit vendor, Vardari, rrezikon të mbetet jashtë Kupave të Europës për dy sezonet e ardhshme, nëse deri në fund të janarit nuk paguan borxhet e prapambetura ndaj futbollistëve të vetë.

Shtëpia e futbollit Europian, UEFA sot përmes ‘kontrollit finansiar të klubeve’ si trup që udhëheq procesin e ‘fair play-it’ financiar, njoftoi se skuadra shkupjane ka afat deri më 31 janar të tregojë dëshmi se ka pastruar të gjitha borxhet ndaj futbollistëve , edhe atë deri në shtatorin e vitit 2018-të, nëse dëshiron të shmang pezullimin.

Përveç kësaj, UEFA është treguar shumë e pamëshirshme ndaj Vardarit, duke gjobitur këta të fundit me 100 000 euro, duke shtuar në këtë mënyrë edhe më shumë krizën e rëndë financiare, që ka kapluar këtë skuadër.

Rikujtojmë se Vardari përveç borxheve të futbolistëve të saj aktual, ka borxhe edhe ndaj disa prej ish-futbollistëve të vetë, që tashmë nuk janë pjesë e skuadrës shkupjane.

Vardari stinorin vjeshtorë në elitën e futbollit vendor e mbylli në pozitën e dytë, me 5 pikë ngecje ndaj skuadrës kampione të Shkëndijës, mirëpo me gjasa reale që të sigurojë një pozitë për të luajtur në Europë për vitin tjetër, mirëpo kuptohet nëse gjithçka eviton me kohë, kur janë në pyetje borxhet ndaj futbollistëve.

Leave a Reply