A e dini kush është “Halil Kastrati” i futbollit?

Besim Bajraktari ka kontribuuar përgjatë një viti për një familje në nevojë, duke ia dorëzuar pagën mujore, të cilën e fitonte në klubin e Drenicës.

“Besi”, që tashmë i ka thënë lamtumirë futbollit, ka kontribuuar shumë shpesh edhe në riparimin e zhveshtoreve të klubit nga Skenderaj.

Ai e kishte një karrierë shumë të pasur si futbollist, ndërkohë që atë e ka ndërtuar te skuadra e Drenicës.

Tash e pesë vjet i ka thënë futbollit lamtumirë, duke i vënë “këpucët në gozhdë”.

“Besi” gjatë gjithë karrierës së tij ka luajtur për Drenicën, duke dhënë kontribut të madh për skuadrën nga qyteti i Skenderajt, shkruan “Zëri”.

Bajraktari mund të konsiderohet edhe si “Halil Kastrati” i futbollit, pasi që ka një zemër të madhe.

Kastrati e drejton shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, teksa ka ndërtuar dhjetëra shtëpi në Kosovë dhe jashtë saj për familjet në nevojë.

Besim Bajraktari ka kontribuuar përgjatë një viti për një familje në nevojë, duke ia dorëzuar pagën mujore, të cilën e fitonte në klubin e Drenicës.

Besimi për këtë veprim të tij u ka treguar vetëm disa shokëve të tij të ngushtë, por jo edhe bashkëlojtarëve të tij në skuadër.

Bajraktari pas një kohe të gjatë e ka zbuluar një fakt të tillë. “Një familje nga Drenica në edicionin 2002-03 ishte në kushte të rënda financiare. Vendosa që pagën të cilën e fitoja në klub t’ua dorëzoj atyre. Pagën time nuk e kam dorëzuar në shtëpi, andaj vendosa që ta ndihmoj atë familje”, ka zbuluar Besim Bajraktari gjatë një bisede për gazetën “Zëri”.

Më tutje “Besi” zbulon se shumë pak njerëz e kanë ditur këtë fakt. “Nëse i ndihmon dikujt nuk është e nevojshme që të bëhet reklamë. Nuk kam dashur që një gjë të tillë ta dijë askush, e zbuluan vetëm disa shokë të ngushtë”, shtoi Besim Bajraktari.

Pas një viti Bajraktari e ndali ndihmën ndaj familjes në nevojë për faktin se kushtet financiare atyre iu përmirësuan. “Disa meshkuj të familjes në fjalë gjetën punë dhe i përmirësuan kushtet, ndërkohë që më falënderuan dhe më thanë që tashmë jemi më mirë me financa”.

Zemrën e madhe Besim Bajraktari e ka treguar edhe në disa raste të tjera.

Ai e ka ndihmuar klubin në riparimin e zhveshtoreve shumë shpesh. “Sa herë kishte nevojë kam ndihmuar në riparimin e zhveshtoreve. Dihet se kushtet e klubeve në futbollin e Kosovës nuk janë edhe aq të mira, prandaj kam vendosur që ta ndihmoj klubin edhe në këtë mënyrë. Për mua ka qenë kënaqësi shumë e madhe që ta bëj një gjë të tillë për faktin se i kam shërbyer klubit të zemrës”, potencoi Besim Bajraktari.

Ai dhe familja e tij në vazhdimësi i ndihmojnë njerëzit, por që Bajraktari nuk preferon që ta flasë më tutje lidhur me këtë temë.

Familja e Besim Bajraktarit tash e 30 vjet merren me një biznes familjar në Skenderaj.

Leave a Reply