Vardari nuk lejon prezencën e “Shvercerave” në Maxhari

Mes Vardarit dhe FC Shkupit ka një rivalitet shumë të madh, që daton që nga themelimi i Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.

Bëhet fjalë për dy skuadra shkupjane me tifozëri të zjarrtë, e që shpeshherë të njëjtat edhe jashtë futbollit masin forcat e tyre, duke kërkuar që të zotërojnë kryeqendrën tonë.

Nisur nga ky fakt ndeshja e sotme që do të zhvillohet në stadiumin “Boris Trajkovski” në lagjen e Maxharit, është shpallur e rrezikut të lartë, ndërsa përmes një kumtesë drejtuesit e Vardarit kanë njoftuar se nuk do të lejohet prezenca e tifozëve të FC Shkupit, “Shvercerat” në stadium.

Me siguri se kjo do të jetë një mungesë e madhe për skuadrën nga Çairi që është mësuar gjithnjë të ketë përkrahjen e tifozëve të saj, siç ishte rasti edhe në Kratovë kundër Sileksit, kur pikërisht falë përkrahjes së “Shvercerave” ato nuk u dorëzuan deri në fund, me ç’rast edhe përkundër disavantazhit prej 0:2 gjatë pjesës së parë, në fund u kthyen me barazimin 2:2.

Në anën tjetër “Komitët” do të jenë prezent në ndeshje për të përkrahur skuadrën e Vardarit, që në start do të ketë një përparësi, mirëpo që një gjë të tillë futbollistët “kuqezi” do të duhet ta dëshmojnë edhe në fushën e blertë.

Leave a Reply