Juventusi me 9 mungesa ndaj Kaljarit, Milani ndaj Udinezes ka detyrim fitoren 

Sonte në program janë dy ndeshje të javës së 30-të në “Serie A”, me Juventusin që do të luaj në transfertën ndaj Kaljarit dhe Milanin që do të mirëpret Udinezen.

Derisa “rossonerët” janë të dënuar për të fituar ndeshjen, një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për “bardhezinjtë”, të cilët kanë ulur ndjeshëm ritmin dhe trajneri toskan pritet të aplikojë në masë rotacionin, por gjithçka është e kuptueshme, pasi në horizont po shfaqet dueli në Ligën e Kampionëve me Ajaksin. “Zonj e Vjetër” në fakt, është në emergjencë totale për fazën e avansuar për këtë transfertë, aq sa Allegri ka qenë i detyruar të grumbullojë 4 lojtarë nga ekipi i të rinjëve.

Futbollistët e padisponueshëm për këtë përballje janë: Ronaldo, Khedira, Kuadrado, Barzali, Daglas Kosta, Dybala, Spinacola, Perin dhe Manxhukiç.

Gjithsesi, rezultati i kësaj ndeshjeje nuk ndikon aspak në objektivin final në kampionat, pasi diferenca prej 15 pikësh me Napolin, ku kanë mbetur edhe 9 javë për t’u luajtur e lejon skuadrën e Allegrit të humbasë plot 5 ndeshje, e sërish të shpallet kampione e Italisë.

Megjithatë ashtu nuk vlen edhe për Milanin, që fitoren përballë Udinezes e ka si detyrim, gjithnjë nëse kjo skuadër dëshiron që të kap ato pozita që sigurojnë Ligën e Kampionëve. Mirëpo nevojë për pikë ka edhe skuadra friuliane, që për momentin pozicionohet vetëm 3 pikë larg “zonës së ftohtë”.

Milani ka grumbulluar 51 pikë, 2 më pak se Interi i vendit të tretë, por duhet të ketë shumë kujdes në javët e mbetura pasi janë plot 3 skuadra, Lacio (48 pikë), Atalanta (48 pikë) dhe Roma (47 pikë), që i rrezikojnë zonën Çampions.

Leave a Reply