Qato mban fjalën, ju jep mundësinë futbollistëve të rinj

Trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani ka mbajtur fjalën, teksa dje kundër Sileksit në lojë nxori një formacion të kombinuar duke ju dhënë mundësinë edhe  futbollistëve tjerë, që gjatë këtij sezoni kanë pasur më pak minuta në këmbët e tyre, njofton “infOSport.mk”.

Strategu i “kuqezinjëve” kishte deklaruar se kur edhe matematikisht të sigurojë titullin kampion, do ju jap mundësinë të gjithë futbollistëve që kanë zhvilluar shumë pak minuta, ndërsa gjatë pjesës së dytë ai ju dha mundësinë e debutimit edhe dy futbollistëve të rinj të shkollës së Shkëndijës, gjenerata 2000, Besart Rexhepit dhe Florent Ramadanit.

Rexhepi në lojë u inkuadrua në minutën e 76-të, duke zëvendësuar Shefitin, teksa Ramadani kishte mundësinë të luaj 5 minutat e fundit të takimit, pasi zëvendësoi mesfushorin Bojku.

Rexhepi në ato minuta të kaluara kishte rast që edhe të shënonte, mirëpo Efremov doli fitues përballë 19-vjeçarit të Shkëndijës, i cili me siguri se do të mbajë mend gjatë kohë datën e 8 majit të vitit 2019-të.

Në fund Shkëndija barazoi pa gola ndaj Sileksit, në një ndeshje ku rezultati nuk ishte imperativ.

Leave a Reply