Neziri prezantohet te Shkëndija: ”I nderuar të vij në klub të madh me tifozët më të mirë”

Pasi të hënën në mbrëmje zyrtarizoi marrëveshjen dy vjeçare me Shkëndijën, mbrojtësi Mexhit Neziri tashmë ka udhëtuar drejt Sllovenisë ku është bashkuar me ekipin në fazën përgatitore. Kthimi pas 7 viteve në taborin “kuqezi” është emocional për 27 vjeçarin që nuk fsheh kënaqësinë që kthehet në folenë ku në vitin 2011 fitonte titullin e kampionit.

“Shkëndija është rritur shumë prej kur kompania ‘Ecolog’ ka marrë menaxhimin dhe është nder të vij në skuadrën që tashmë është bindshëm më e mira në vend dhe shënon rezultate edhe në Europë. Tifozeria ‘kuqezi’ janë më të mirët dhe për mua është kënaqësi që do të kem mundësinë të luaj sërish para tyre. Premtoj maksimumin tim për të ndihmuar ekipin të arrijë objektivat”, – është shprehur Mexhit Neziri pasi u bashkua me skuadrën në përgatitjet në Kranjska Gora të Sllovenisë.

Bashkë me Nezirin me ekipin prej dje janë bashkuar edhe Visar Musliu, Marjan Radeski dhe Egzon Bejtullai, ndërsa sot udhëtuan edhe Arbin Zejnullai, Omar Imeri dhe Shefit Shefiti, pasi të gjithë kishin disa ditë pushim të shtuar shkaku i angazhimeve në ekipet përfaqësuese.

Leave a Reply