Muamed Sejdini takim me klubet e LPFM-së për shitjen e të drejtave televizive

Në “Shtëpinë e Futbollit”, udhëheqësit e Federatës së Futbollit të Maqedonisë zhvilluan një mbledhje të përbashkët me përfaqësuesit e klubeve të Ligës së Parë, ndërsa tema e bisedës ishte shitja e të drejtave televizive për Ligën e Parë për tre sezonet e ardhshme, duke filluar nga sezoni 2019/2020.

Presidenti i FFM-së, Muamed Sejdini dhe sekretari gjeneral, Filip Popovski në mbledhjen e mbajtur në hapësirat e federatës, përfaqësueseve të klubeve ua prezantuan ofertat nga televizionet rajonale për shitjen e të drejtave televizive të Ligës së Parë dhe kompeticionit të Kupës.

Numri një i futbollit në vendin tonë, Muamed Sejdini theksoi se shuma e ofruar nga dy televizionet rajonale, do të përfshihet plotësisht në shpenzimet e klubeve për sezonin dhe sipas Sejdinit, federata nuk do të merr asnjë euro nga shitja e të drejtave televizive.

“Futbolli i Maqedonisë për tu zhvilluar dhe për të ecur përpara është e rëndësishme për FFM dhe klubet për të gjetur një gjuhë të përbashkët për çështje të rëndësishme, për t’u ulur në tryezë dhe të flasim. Ne mendojmë se kjo është çështje e rëndësishme, për të cilën ne si udhëheqës të federatës, i kemi kushtuar vëmendje të madhe dhe shpresoj që së bashku të përfitojmë. Për ne, përfitimi i marrëveshjes eventuale për të drejtat televizive është promovimi i futbollit të Maqedonisë dhe shumën që do ta pranojmë, do të ndahet te klubet. Oferta që kemi marrë nga dy stacione televizive rajonale i referohet dy transmetimeve të drejtpërdrejta për Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë”, tha Muamed Sejdini.

Deri të mërkurën është afati kur klubet do të duhet të përgjigjen kërkesës për shitjen e të drejtave televizive. Klubet janë njoftuar edhe për kushtet dhe shumën e të hollave që eventualisht do të përfitojnë nëse përgjigjen pozitivisht në kërkesën për shitjen e të drejtave televizive dhe ndeshjeve të kampionatit vendor.

Kujtojmë se në tre dekadat e fundit nuk janë shitur asnjëherë të drejtat televizive nga ndeshjet e kampionatit vendor.

 

Leave a Reply