Shkëndija mbetet pa mbrojtësin Musliu, vazhdon karrierën në Hungari!

Shkëndija ka gjetur akordin për transferimin e mbrojtësit qendror, Visar Musliu. Mbrojtësi 24 vjeçar karrierën do ta vazhdojë në Hungari te skuadra e MOL Fehervar FC, drejtuesit e së cilës skuadër thuhet se Shkëndijës do ti paguajnë plotë 500 mijë euro si dëmshpërblim për blerjen e kartonit të tij një vit para skadimit të kontratës me kampionët e vendit (30.06.2020).

Visar Musliu largohet nga Shkëndija pas një viti e gjysmë, periudhë gjatë së cilës fitoi 3 trofe me kuqezinjtë, 2 kampionate dhe 1 Kupë.

Ai zhvilloi 62 paraqitje zyrtare me fanellën e Shkëndijës (43 kampionale, 7 në Kupë dhe 12 në Europë), duke shënuar 9 gola (6 në kampionat dhe 3 në Kupë).

Pas firmosjes me kuqezinjtë në shkurt të vitit 2018 Musliu shpejt u promovua si shtyllë e mbrojtjes, duke dhënë kontribut të madh në sukseset e skuadrës, ndërsa do të mbahet mend edhe për dy golat e tij në finalen e Kupës së Maqedonisë (2018) kundër Pelisterit të fituar 3:0 nga Shkëndija.

Leave a Reply