Eros Grezda është rikthyer në Kroaci për të qenë sërish bashkë me Osijekun. Ai te kjo skuadër vjen nga rradhët e gjigandëve skocez të Gllazgou Renxhers, te e cila skuadër nuk arriti që të lë fare gjurmë.
Për djaloshin nga Gjakova, Renxhersi gushtin e vitit 2018-të pagoi rreth 2 milion sterlina, por dëmtimet dhe më pas edhe sjellja e tij u bënë pengesë për vazhdimin e bashkëpunimit.
Kësisoj ish klubi i tij Osijeku, vendosi që ta rikthejë atë sërish në futbollin elitar kroat, duke i njohur të drejtën klubit skocez për të përfituar nga shitja e Grezdës në rast se ata ia dalin ta transferojnë sërish.
Gjakovari 24-vjeçar me Gllazgou Renxhersin regjistroi gjithsej 17 paraqitje, duke shënuar edhe 2 gola.
Rikthimi te Osijeku është edhe opcioni më i mirë për momentin, pasi pikërisht në elitën e futbollit kroat, Grezda krijoi emër, ku në 109 paraqitje, si pjesë e Lokomotiv Zagrebit dhe Osijekut, realizoi 23 gola dhe 9 asistime.
Ndërkohë Grezda përmes një postimi në “Instagram” kishte lënë një mesazh edhe për, tashmë ish skuadrën e tij, Renxhers: “Ndonjëherë në jetë gjërat nuk shkojnë sikurse duam, por e rëndësishme që të mos dorëzohesh për ëndrrat e tua. U uroj gjithë të mirat shokëve të skuadrës dhe klubit”.