Tetovari Bajrami: Ishalla vjen sa më shpejt ajo ditë që të veshë fanellën e Shqipërisë

Një futbollistë tjetër me origjinë nga Maqedonia për Shqipërinë. Është ky futbollisti tetovar, Nedim Bajrami, i cili aktualisht mbron ngjyrat e skuadrës së Empolit, me të cilën skuadër këtë edicion siguruan ngjitjen në elitën e futbollit italian. Bajrami në këtë rrugëtim të suksesshëm u bë protagonist me 7 gola dhe 10 asiste.

Ai në një intervistë për “Panorama Sport”, përveç që foli për sezonin fantastik që kaloi me Empolin, pritshmëritë në Serie A dhe ofertat në adresë të tij, nuk mundi të mos flas edhe për Kombëtaren e Shqipërisë.

Ai mezi pret që të veshë fanellën “kuqezi”.

“Po kërkoj me ngulm dhe me zor po pres. Them ishalla po vjen sa më shpejt ajo dita që të mund të vesh fanellën kuqezi”, deklaroi ndër të tjera Bajrami për “Panorama Sport”, i cili foli gjithashtu edhe për origjinën e tij.

“Unë kam lindur në Zvicër, ndërsa mami e babi kanë lindur në Maqedoni. Babin e kam nga Tetova dhe mamin e kam nga Gostivari”.

Në pyetjen e gazetarit se çfarë është Shqipëria për të, Bajrami është shprehur:

“Shqipëria për mua… (Qesh). Unë e kam zgjedhur Shqipërinë me zemër. Jam i lumtur që jam shqiptar. Jam krenar! I gëzuar që mund të jem pjesë e Kombëtares dhe ishalla mund të luaj në vijim me të. Jam duke pritur, pasi këtë periudhë ka nevojë për disa dokumente dhe ishalla po më realizohet kjo gjë. Dua të luaj me Shqipërinë. E kam zgjedhur unë vetë me zemër që të jem me Shqipërinë. Ishalla do të mundësohet një ditë kjo”.

Kujtojmë Nedim Bajrami skuadrës italiane të Empolit iu bashkua dy vite më parë nga rradhët e skuadrës zvicerane të Grasshopers, ndërsa këtë vit ai bëri ëndërrën realitet, duke siguruar pjesëmarrjen në “Serie A”, një ndër ligat më të fuqishme dhe më interesante në futbollin europian.

 

Leave a Reply