Mevlan Adili shpallet lojtar i ndeshjes në barazimin e Vllaznisë ndaj Laçit

Ish mbrojtësi i FC Shkupit, Mevlan Adili, ka bërë një paraqitje të shkëlqyeshme me Vllazninë në ndeshjen e javës së 19-të në Superligën e Shqipërisë kundër Laçit (0:0), njofton “infOSport.mk”.

Shkupjani 25-vjeçar morri një detyrë të rëndë nga ana e trajnerit Mirsad Jonuz, për të neutralizuar golashënuesin më të mirë të kampionatit, Kirian Nvabueze, dhe si duket strategu maqedonas nuk kishte gabuar, pasi Adili arriti të neutralizojë në mënyrën më të mirë të mundshme sulmuesin kryesor të Laçit, të cilin tha se e njeh që nga koha kur amerikani luante në futbollin tonë vendor, me skuadrën e Pobedës së Prilepit.

“Laçi ka ekip të mirë, me djem të rinj. Për të analizuar ndeshjen, nuk kishte shumë nevojë, pasi e di çfarë lojtari është Nvabueze. Ka luajtur edhe ai në Maqedoninë e Veriut.  Është lojtar i fortë, por arritëm të neutralizonim” – u shpreh Adili i cili pas këtij barazimi pa gola me laçianët, për mikrofonin e SuperSport tha se e rëndësishme ishte që Vllaznia të mos humbaste ndeshjen.

Adili foli edhe për ambientimin te skuadra shkodrane, e cila është treguar mjaft mikpritëse për shkupjanin.

“Çunat këtu te Vllaznia janë fantastikë, si brenda, ashtu dhe jashtë fushe. Më kanë ndihmuar të ambientohem sa më shpejt dhe dua t’i falënderoj. Sa i takon rezultateve, këtë gjë do t’ia lëmë kohës”, – kishte theksuar Adili.

Vllaznia e Shkodrës pas 19 xhirove në elitën e futbollit shqiptarë renditet në pozitën e 7-të me 27 pikë, po aq sa ka edhe Skënderbeu në pozitën e 8-të.

Skuadra korçare për të cilën luajnë Artim Pollozhani dhe Agon Elezi, më herët gjatë ditës së sotme me rezultatin minimal 1:0 mundi Flamurtarin.

Leave a Reply