Muriqi shënon, Fenerbahçe finalen e Kupës e ëndërron (VIDEO)

Vedat Muriqi ka shënuar golin e vetëm për Fenerbahçen në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Turqisë kundër Trabzonsporit, skuadër kjo që në fund shënoi fitore 2:1, njofton “infOSport.mk”.

Goli i Muriqit fiton shumë në peshë, duke pasur parasysh se Fenerbahçe me një fitore minimale 1:0 në ndeshjen e kthimit në “Shukru Saraçogllu” mund të kalojë në finalen e madhe, që njëherit është edhe qëllimi kryesor i skuadrës nga Stambolli.

Ndryshe që të tre golat u shënuan në pjesën e dytë, ndërsa golin e parë Trabzonspori e realizoi në minutën e 46-të me anë të norvegjezit Aleksander Sorlot.

Golin e dytë Trabzonspori e realizoi në minutën e 66-të, me anë të çekut Filip Novak, ndërsa shpresat e Fenerbahçes i riktheu sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, me golin e realizuar në minutën e 83-të.

Ekiçi nga e djathta harkoi brenda zonës kundërshtare, ndërsa sulmuesi shqiptarë me kokë arriti që të mposhtë për herë të parë në këtë ndeshje portierin vendas, Kardesler.

Muriqi në minutat e fundit të takimit bëri edhe një super asistim për Kadiogllu, i cili edhe pse ishte i vetmuar para portierit kundërshtarë nuk arriti që të shënojë golin e barazimit. Kështu Fenerbahçe përmbysjen do ta kërkojë në ndeshjen e kthimit në “Shukru Saraçogllu”, ndeshje kjo që në program është me datë 21 prill.

Leave a Reply