Sa bukur, 3 skuadrat shqiptare në krye të renditjes në LPFMV

Java e tretë në elitën e futbollit vendor tashmë ka lënë pas vetes 3 ndeshje, që u zhvilluan në dy ditë, njofton “infOSport.mk”.

Gjithçka nisi të premten me ndeshjen Bellasica – FC Shkupi, ku ekipi nga Çairi falë “dopietës” së Dembo Darboe shënoi fitore 2:0. Fitore po me të njëjtin rezultat, një ditë më vonë (e shtunë) regjistroi edhe Renova, që mundi skuadrën tjetër nga Strumica, Akademia Pandevin, ndërkohë po të njëjtën ditë, Shkëndija mundi Makedonija GJ.P në Shkup me rezultatin minimal 1:0.

Sot në program janë edhe 3 ndeshje të tjera. Struga Trim Lum në kërkim të fitores së parë, në stadiumin pranë liqenit do të mirëpret Borecin, në Manastir Pelisteri do të luaj kundër Rabotniçkit, ndërkohë Vardari në arenën “Todor Proeski” do të jetë nikoqir i Sileksit.

Aktualisht FC Shkupi me 7 pikë, po aq sa ka edhe Shkëndija në pozitën e dytë, i prijnë renditjes tabelare, para skuadrës së tretë shqiptare, Renovës, që me 5 pikë renditet në pozitën e tretë, transmeton “infOSport.mk”.

Të tre këto skuadra javën që vjen do të prezantojnë Maqedoninë e Veriut në garat e Liga Europa. Shkëndija do të përballet me Sumgait nga Azerbejxhani, FC Shkupi do të masë forcat me Neftçi, poashtu nga Azerbejxhani, ndërsa Renova për kundërshtarë në raundin e parë kualilfikues të Liga Europa do të ketë skuadrën armene të Alashkert.

Leave a Reply