Renova u eliminua, por nuk u turpërua përballë gjigandëve kroat të Hajdukut (VIDEO)

Renova pësoi disfatë minimale 0:1 përballë gjigandëve kroat të Hajdukut në ndeshjen e vlefshme për raundin e dytë eliminatorë të Liga Europa, njofton “infOSport.mk”.

Kroatët golin e fitores dhe kualifikimit në raundin e tretë e realizuan vetëm pas 4 minutave lojë. Njëri prej mbrojtësve të Renovës nuk arriti që të pastrojë rrezikun para zonës së tij, ndërsa falë harkimit të brazilianit Hairo, Mijo Caktash me kokë shënoi në rrjetën e Hadis Velii, i cili gjatë pjesës së parë ishte njëri ndër më të dalluarit te skuadra nga Xhepçishti.

Falë intervenimeve të tij, Renova nuk pranoi ndonjë gol tjetër, ndërkohë gjërat ndryshuan në pjesën e dytë, në të cilën ekipi i trajnerit Bujar Islami krijoi disa raste ideale për gol, mirëpo pa mundur të shënojë atë gol të barazimit.

Kështu Renova përshëndetet nga garat europiane pas dy raundeve në kuadër të Liga Europa, aty ku më tej do të vazhdojë Hajduku.

Skuadra e njohur kroate në raundin e tretë do të përballet kundër gjigandëve turq të Galatasarajit, që eliminuan Neftçin nga Azerbejxhani.

Leave a Reply