Drenica në prag të derbit lokal ndaj Feronikelit përforcohet me një sulmues nga Maqedonia

KF Drenica në prag të derbit lokal me Feronikelin ka përforcuar rradhët e veta me sulmuesin nga Maqedonia, Vildan Kerim, transmeton “infOSport.mk”.

Shkupjani te skuadra nga Drenasi ishte transferuar në fillim të këtij viti, mirëpo me të përfunduar sezoni, ai nuk ishte më pjesë e skuadrës, kjo edhe për shkak tashmë ish trajnerit Fadil Rama, i cili nuk llogariste në shërbimet e Kerim, i cili me Drenicën numëron gjithsej 4 ndeshje (1 në kampionat dhe 3 në Kupë) dhe 1 gol të shënuar.

Megjithatë me ardhjen e Bledar Devollit në krye të Drenicës, gjërat kanë ndryshuar, dhe i njëjti sipas “Gazeta Olle” është bindur nga kualitetet e futbollistit shkupjan, të cilit i është ofruar kontratë e re.

Vildan Kerim pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në Turqi, ndërsa në futbollin tonë vendor, ka luajtur me Skopjen dhe Genç Kalemler në Ligën e Dytë.
Mbetet të shihet nëse i njëjti do të debutojë në ndeshjen e sotme të javës së 12-të në Superligën e Kosovës kundër Feronikelit, që starton në ora 13:30.

Leave a Reply