FC Shkupi dhe Renova barazojnë pa gola në një ndeshje me shumë raste shënimi (VIDEO)

FC Shkupi ka barazuar pa gola ndaj Renovës në ndeshjen e parë të javës së 17-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.

Ndeshja filloi me inciativë të FC Shkupit, që rastin e parë e kishte me anë të Gudiabit.

Dembo Darboe mjaft mirë depërtoi nga e majta, duke pasuar mu në momentin e duhur për Gudiabin, mirëpo goditjen e tij mjaft mirë e ndali portieri Hadis Veli, që ishte figura kryesore në këtë takim te skuadra vendase.

Në minutën e 27-të Fredy Alvarez depërtoi në zonën kundërshtare, mirëpo u ndal me shpresë se arbitri Markoski do të tregojë në pikën e bardhë, pas kësaj tërheqje të fanellës nga ana e Burim Sadikit. Megjithatë e gjithë kjo nuk kishte elemente të mjaftueshme për të treguar në pikën e bardhë sipas arbitrit kryesor, i cili tregoi që loja të vazhdojë.

FC Shkupi vazhdoi sërish të kanoset, ndërsa në minutën e 33-të shumë pak mungonte që Alush Gavazaj të shënonte në rrjetën e gabuar. Alvarez harkoi nga rivënia e këndit, ndërsa mesfushori kosovar në tentativë për të ndalur Ilirid Ademin, nuk kishte fare ide se ku ndodhet, ndërsa topi e goditi në pjesën e pasme të kokës, për të vënë në mjaft vështirësi portierin Hadis Velii, i cili edhe njëherë tjetër intervenoi mjaft mirë para futbollistvëe shkupjan.

Pas gjithë këtyre rasteve të pashfrytëzuara të mysafirëve, Renova u kanos në minutën e 38-të, me anë të Bashkim Veliut, i cili me të majtën e tij lëshoi një predhë të vërtetë në drejtim të portës kundërshtare, por që përfundoi vetëm mbi kuadrant.

Rastin e fundit gjatë pjesës së parë për të shënuar në rrjetën e vendasve, e pati Fredy Alvarez, i cili edhe pse i vetmuar para portierit kundërshtarë, nuk arriti që të shënojë. Ishte ky edhe një tjetër intervenim bravuroz i portierit Hadis Velii, i cili ishte më i merituari që pjesa e parë u mbyll me barazim pa gola.

Fillimi i pjesës së dytë solli edhe një zëvendësim në rradhët e vendasve. Qatip Osmani kishte lënë në bankinë të riun Ebibi, ndërsa në vend të tij kishte inkukadruar në lojë Emran Ramadanin.

Pikërisht ky i fundit ju solli mjaft probleme futbollistëve të FC Shkupit, teksa në minutën e 49-të servoi një top mjaft të mirë për Shefit Shefitin, mirëpo edhe pse para vetes kishte një portë të zbrazët nuk arriti të shënojë.

Ramadani në minutën e 53-të nga e djathta pas një kundërsulmi gjeti veten në një pozitë mjaft të mirë për të shënuar, mirëpo një intervenim bravuroz i Kristijan Naumovskit i mohoi golin atij.

Nuk vonoi shumë dhe në anën tjetër Fredy Alvarez tentoi për të shënuar, mirëpo goditja e tij e fuqishme nga brendia e zonës përfundoi vetëm jashtë kuadrantit.

Kostarikani kishte rast ideal për të shënuar edhe në minutën e 69-të, kur pranoi një top nga Dembo Darboe, mirëpo këtë herë centimetra ishin në pyetje. E majta e Alvarez nuk dha rezultat edhe këtë herë, me ç’rast në fund ndeshja u mbyll me rrjeta të paprekura, kjo pasi edhe vendasit nuk arritën të shfrytëzojnë asnjë nga rastet e krijuara para portës së Naumovskit.

Me këtë barazim FC Shkupi mbetet në pozitën e dytë me 33 pikë, 3 më pak se Shkëndija e vendit të parë, mirëpo me “kuqezinjtë” që nesër do të zhvillojnë ndeshjen e javës së 17-të kundër Akademia Pandev dhe mund të shkëputen edhe më shumë në renditje ndaj skuadrës së Umit Karan.

Në anën tjetër shumë punë për Renovën dhe Qatip Osmanin, që edhe pas kësaj jave nuk mund të lëshojnë zonën e rrezikut. Renova në 17 xhiro ka tubuar 16 pikë, dhe aktualisht ndodhet në pozitën e 9-të.

Leave a Reply