UEFA gjobit FSHF-në

Derisa FSHF pret që klubet shqiptare të respektojnë maksimalisht protokollin e saj për të zhvilluar ndeshjet në siguri të plotë për të mos rrezikuar infektimet me COVID-19, vetë institucioni i futbollit në vendin tonë duket se nuk e zbaton një të tillë që ia ka caktuar UEFA.

Këtë e tregon edhe vendimi i Komisionit Disiplinor të UEFA-s që i ka vendosur një gjobë FSHF-së për ndeshjen ndaj Bjellorusisë në Ligën e Kombeve, transmeton VipSport.

UEFA ka konstatuar se FSHF ka gabuar me akreditimin që ka bërë për pjesë të ndryshme të stadiumit dhe se delegacioni zyrtar ka qëndruar në zonat ku teorikisht nuk duhej të qëndronin në impiant, duke qenë pranë skuadrave të futbollit në vend që të qëndronin në tribunë. Kësisoj, thyerja e protokollit i ka kushtuar FSHF-së një gjobë prej 5 mijë eurosh.

Sigurisht, një gjobë modeste duke llogaritur të ardhurat e institucionit, por që mjafton për të treguar se si vetë zyrtarët më të lartë të saj vazhdojnë të injorojnë sigurinë në situatën e pandemisë, edhe kur bëhet fjalë për futbollistët e Kombëtares. Infektimi i Elseid Hysajt në grumbullimin e fundit kuqezi apo të Ramadanit e Ismajlit më parë, me sa duket nuk ka qenë një rastësi.

Leave a Reply