Kumanovari Sellahi braktis Tuenten, rikthehet në Belgjikë!

Mesfushori kumanovar, Lindon Sellahi, i cili mbron edhe ngjyrat e Kombëtares shqiptare, me shumë gjasa do të rikthehet në kampionatin belg, aty ku dëshmoi se bëhet fjalë për një talent të jashtëzakonshëm të futbollit.

Aktivizimi i pakët me klubin e Tuentes, është një nga faktorët kryesorë që Sellahi po mendon largimin nga skuadra holandeze, ndërsa një gjë e tillë po konfirmohet nga mediat “tulipane”, të afërta me klubin e Tuentes.

Kujtojmë që 21-vjeçari, i cili numëron 4 ndeshje me Kombëtares shqiptare, është një produkt i shkollës belge të futbollit, teksa në futbollin holandez te skuadra e Tuentes u transferua verën e vitit 2019-të, kur erdhi nga rradhët e Standard Liezh.

Shqiptari është aktivizuar vetëm 4 ndeshje në kampionatin elitar holandez këtë sezon, nga 14 ndeshje në total të luajtura, teksa në ditët e ardhshme, pritet të kemi një finalizim të rikthimit të tij në Belgjikë.

Ndryshe kumanovari me fanellën e Tuentes në përgjithësi ka zhvilluar 31 ndeshje, ku ka regjistruar edhe dy gola dhe një asistim. (infOSport.mk)

Leave a Reply