FC Shkupi barazon me ukrainasit e Lviv

FC Shkupi gjatë ditës së sotme ka zhvilluar edhe ndeshjen e tretë kontrolluese në Antalia të Turqisë, aty ku skuadra “bardhekaltër” nga Çairi tashmë pak më shumë se dy javë po zhvillon fazën kryesorë të përgatitjeve në prag të stinorit pranveror, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra e Hasan Ozer gjatë ditës së sotme përballë kishte ekipin e FK Lviv nga elita e futbollit ukrainas. Edhe pse FC Shkupi  ishte dukshëm kundërshtarë më i mirë dhe krijonte më shumë raste, në fund ndeshja u mbyll me shifrat 1:1.

Skuadra nga Çairi avansoi në fazën e hershme, teksa Diak shënoi në rrjetën e Kostik pas asistit të Filip Gligorov.

FC Shkupi u kanos edhe në disa raste tjera gjatë 45 minutave të para, mirëpo Ademi dhe Alvarez nuk arritën të shënojnë edhe njëherë tjetër në rrjetën e FK Lviv.

Kështu pjesa e parë u mbyll me epërsinë e FC Shkupit, që edhe në pjesën e dytë ishte kundërshtarë më i mirë në terren, mirëpo kur e gjithë skuadra “bardhekaltër” priste ti gëzohej fitores së parë, ukrainasit në minutën e 95-të arritën që të barazojnë rezultatin me anë të Oleksiy Dovhy.

Kujtojmë FC Shkupi edhe në dy ndeshjet e para kontrolluese të zhvilluara në tokën turke kishte arritur barazime. Fillimisht kishte luajtur 2:2 me FK Obolon nga Ukraina, teksa kishte barazuar 1:1 me skuadrën e njohur ruse të Akmhat Grozni. (infOSport.mk)

Leave a Reply