Daja flet pas triumfit të thellë të Partizanit ndaj Sfintul

Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, pas ndeshjes së fituar me rezultatin 5:2 kundër Sfintul Gheorghe, ishte i kënaqur me atë që paraqiti skuadra e tij në fushë, por nga ana tjetër kërkon përqendrim maksimal për ndeshjen e kthimit në Moldavi.

“Të jem i sinqertë nuk e prisnim, por e gjithë merita u shkon lojtarëve. Jo vetëm që përballuan një 90 minutësh të mirë, por përballuan një ekip e gjysmë të kundërshtarit që bëri pesë ndërrime dhe me lojtarë të nivelit të mirë teknik. Ajo 11-she përballoi gati 90 për qind të ndeshjes dhe ishte meritë e tyre, pasi sakrifikuan shumë për të shkuar te fitorja, e para e një ekipi shqiptar me pesë gola. Përballë nuk kishim një kundërshtarë lehtë, një javë më parë barazuan 2:2 me Sherifin kampion në finalen e Superkupës. Është një ekip që ka një mënyrë të luajturi me tranzicione poshtë. Nuk duhet të nxitoheshim, pasi nuk kemi shumë gjendje të mirë fizike.

Po përmend vetëm Gligorov që ka vetëm një javë me ekipin, kurse të tjerë me peshë janë afruar me vonesë pas 3-4 javëve pushim. Kjo do të thotë që e kemi menaxhuar mirë ndeshjen, por sakrifica e lojtarëve ishte kryesorja që fituam me atë rezultat të thellë”, është shprehur Ilir Daja, i cili edhe përkundër epërsisë prej 3 golave tha që skuadra e tij duhet të përgatitet mirë, sidomos për lojën e kundërshtarit që e aprovoi sonte në “Elbasan Arena” në 25 minutat e fundit të takimit.

 “Triumfi me 3 gola? Nuk do shkojmë në Moldavi duke u nisur nga rezultati, pasi futbolli ka të papritura, Duhet të përgatitemi mirë, edhe për një vendosje tjetër që rivali përdori në 25 minutat e fundit. Do e bëjmë praktikisht në stërvitje. E kanë mënyrë të dytë për të luajtur dhe ne duam të jemi të përgatitur për të” – përfundoi Daja.

Leave a Reply