Voska Sport prezanton edhe dy talentë, njëri vjen nga SV Ried i Austrisë!

Pas Riste Ilijovskit, Voska Sport para pak çastesh në faqen zyrtare në “facebook” ka njoftuar edhe për dy nënshkrime të reja, njofton “infOSport.mk”.

Bëhet fjalë për dy futbollistë të rinj, që pritet të jenë e ardhmja e klubit të ri shqiptarë nga qyteti i bukur i Ohrit.

I pari vjen nga futbolli austriak dhe është vetëm 21-vjeç. Fjala është për Musa Mevmedovskin, i cili luan në rolin e mesfushorit, teksa te Voska Sport vjen nga ekipi i dytë i SV Ried.

Sa i përket emrit të dytë, ai është Besart Xhemaili, që skuadrës së Voska Sport i bashkohet nga ekipi i FC Shkupit. 19-vjeçari Xhemaili ndër vite u dallua me paraqitjet e tij në repartin e sulmit ku luan si alo i djathtë, ndërsa kjo i ka mundësuar të grumbullohet edhe me përfaqësueset e Maqedonisë për gjeneratat U17 dhe U19.

Xhemaili u avansua në ekipin e parë të FC Shkupit duke u stërvitur nën urdhërat e trajnerit Goce Sedloski, mirëpo konkurrenca e madhe te kjo skuadër, bëri që Xhemaili të pranojë ofertën një vjeçare të Voska Sport.

Kontratë një vjeçare ka nënshkruar edhe Musa Mevmedovski, i cili në të kaluarën ka veshur edhe fanellën e përfaqësueses U16 të Maqedonisë, por njëkohësisht edhe ato U16 dhe U17 të Sllovenisë, aty ku edhe ka lindur ky super talent. (infOSport.mk)

Leave a Reply