Perez ka gati “fshesën”, plotë 12 futbollistë pritet ti thonë lamtumirë Realit!

Real Madridi do i nënshtrohet operacionit “fshesa”, ku disa futbollistë do t’i thonë lamtumirë  ekipit mbretëror  gjatë merkatos së verës.

Isko, Marselo dhe Bejll janë vetëm 3 nga futbollistët që pritet të largohen nga “Santiago Bernabeu”, teksa shumë të tjerë pritet të kenë të njëjtën rrugë.

Krahas tyre, plot 6 futbollistë të tjerë të “Los Blancos” janë me valixhet gati dhe pritet të largohen këtë verë, pasi kanë luajtur pak ose aspak dhe nuk bëjnë pjesë në planet e Ançelotit për sezonin e ri.

Portieri ukrainas Lunin, mbrojtësi Valleho, mesfushori Sebajos dhe sulmuesit Asensio, Mariano e Joviç janë 6 futbollistët që pritet të lënë Madridin këtë verë, pasi kanë gjetur pak ose aspak hapësira gjatë sezonit.

Klubi madrilen synon t’i shesë, në mënyrë që të arkëtojë sa më shumë para, megjithatë ndonjë prej tyre mund të përfundojë edhe në huazim për të paktën sezonin e ardhshëm.

Përveç tyre, do të qëndrojnë pak ose aspak në Madrid edhe Odriozola, Majoral e Reiner, që sezonin e kaluar ishin në huazim dhe pritet të shiten përfundimisht, ose të huazohen sërish edhe në të ardhmen.

Ndërkohë, mediat pranë Realit konfirmojnë se buxheti në dispozicion për merkaton në hyrje është plot 350 milionë euro, me Florentino Perez që duket i vendosur të kënaqë pretendimet e Ançelotit, për të afruar të paktën 3-4 lojtarë me peshë në “Santiago Bernabeu”.

Leave a Reply