Davor Taleski flet si “kuqezi”: Dëshirë e çdo portieri është që një ditë të luajë për Shkëndijën

Davor Taleski edhe zyrtarisht është pjesë e Shkëndijës. Një gjë të tillë “infOSport.mk” kishte paralajmëruar që një javë më parë, ndërsa sot drejtuesit e skuadrës tetovare e prezantuan atë edhe para mediave.

Taleski pasi kaloi me sukses vizitat mjekësore, me Shkëndijën firmosi kontratë 3-vjeçare. Gardiani 27-vjeçar te Shkëndija erdhi nga ekipi i Struga Trim Lum ku gjatë sezonit të kaluar regjistroi gjithsej 32 paraqitje, 30 prej të cilave në kampionat dhe 2 në garat e kupës.

“Jam i lumtur që gjendem në Tetovë dhe që jam pjesë e Shkëndijës. Dëshira e secilit portier nga kampionati vendor është që një ditë të luajë për Shkëndijën. Për mua kjo paraqet një sfidë tepër të madhe duke marrë parasysh që Shkëndija secilin vit merr pjesë në garat në kompeticionet evropiane, dhe kjo do të jetë një mundësi e madhe për mua që të tregoj të gjitha kualitetet të cilat i posedoj. Falënderoj drejtuesit e klubit për vlerësimin dhe që mundësuan ardhjen time në Tetovë. Unë ju premtoj se fanellës së Shkëndijës do t’i përkushtohem maksimalisht”, – u shpreh Taleski për faqen zyrtare të klubit tetovar.

Për shërbimet e Taleskit interes kishte shfaqur edhe Bregallnica, mirëpo gardiani me origjinë nga Prilepi vendosi ti thotë “PO”, Shkëndijës, që njëherit do të jetë klubi i tij i 9-të në karrierë, pas 11 Oktomvrit, Pobedës, Metalurgut, Bregallnicës, Pelisterit, Struga Trim Lumit, FC Honka (Finlandë) dhe AE Larisa (Greqi). (infOSport.mk)

Leave a Reply