A ka kush e ndal këtë Strugën e Trimit dhe Lumit!? (VIDEO)

Struga Trim Lum përveç që po fiton ndeshjet një pas një, kjo skuadër po fiton edhe zemrat e futbolldashësve në vendin tonë. Më së miri për këtë dëshmojnë edhe komentet e ndryshme nëpër rrjetet sociale, por edhe duartrokitjet e sotme të tifozëve të Akademia Pandev në Strumicë pas përfundimit të ndeshjes, shkruan “infOSport.mk”.

Edhe pse ndaj Akademia Pandev, ekipi strugan nuk kishte fituar më parë, një gjë të tillë djelmoshat e Srgjan Zaharievskit bënë sot me mjaft stil, pasi në fund nga Strumica u larguan me fitore 3:0.

Bunjamin Shabani, ishte futbollisti që hapi serinë e golave në këtë përballje, kur në minutën e 32-të mjaft mirë reagoi i vetmuar para portierit Jovanovski, duke e mposhtur këtë të fundit për rezultat 1:0.

Ishte ky rezultati i pjesës së parë, ndërsa në të dytën, skuadra strugane shtoi edhe dy gola të tjerë.

Ishte fillimisht Besart Ibraimi, i inkuadruari në fillimin e pjesës së dytë që në të 73-tën shënoi për 2:0, kur mjaft mirë pranoi një top në zonën kundërshtare nga ana e Abdylhadi Jahja, derisa pas një aksioni me shumë pasime, në minutën e fundit të takimit, në listën e golashënuesve u regjistrua edhe Zija Merxhani.

Në fund, fitore e pastërt 3:0 për Struga Trim Lum, që me 18 pikë kryeson bindshëm renditjen tabelare pas 6 xhirove të para, duke lënë pas vetes Sileksin dhe Shkëndijën që kanë nga 11 pikë. (infOSport.mk)

Leave a Reply