Osmani flet pas disfatës nga Shkupi, ata ishin më agresiv në duele

Shkëndija pësoi disfatë 2:0 në derbi ndeshjen e javës së 19-të kundër FC Shkupit, duke i zbehur edhe më shumë shanset për titullin e kampionit, kjo për faktin se tashmë ndaj skuadrës së vendit të parë, Struga Trim Lum ka një ngecje prej 10 pikësh dhe 9 më pak se rivali i madh, FC Shkupi, shkruan “infOSport.mk”.

Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit, trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani pranoi se ekipi nuk ishte në nivelin e duhur, dhe se lojtarët e FC Shkupin ishin më agresiv dhe fitues në shumicën e dueleve, e që si pasojë skuadra e tij nuk mund ti ikte disfatës.

“Mendoj se nuk ishim në nivelin e duhur, posaçërisht në pjesën e parë kur kishim disa gabime në defanzivë duke i mundësuar kundërshtarit të krijonte raste. Ne kishim mundësitë tona që nuk i shfrytëzuam. Fatkeqësisht pas një rasti 100% për ne, pranuam gol. Në pjesën e dytë tentuam ta shpërthejmë mbrojtjen e Shkupit, por pa sukses dhe pastaj ndodhi lëndimi i Hasanit, ne mbetëm me një lojtarë më pak në fushë dhe goli i dytë ishte rezultat i faktit se ishim numerikisht inferiorë“ – tha Qatip Osmani për faqen zyrtare të klubit, duke pranuar njëherit se futbollistët e FC Shkupit ishin më agresiv në duele.

“Po është e vërtetë se në atë lojën e dyluftimeve gjatë 90-të minutave kundërshtarët ishin më lartë dhe ata fitonin shumicën e dueleve. Kur ndodh kjo kundërshtari ka përparësi ta merr topin e dytë, ashtu që në këtë segment nuk ishim në lartësinë e duhur.” – përfundoi Osmani.

Shkëndija ndeshjen e rradhës do ta zhvillojë në shtëpi përballë Pobedës. (infOSport.mk)

Leave a Reply