Struga Trim Lum triumfon në Shkup, FC Shkupi ndalet në Strumicë

Struga Trim Lum ka regjistruar një fitore shumë të rëndësishme në Shkup përballë Rabotniçkit në ndeshjen e vlefshme të javës së 24-të në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra lidere e udhëhequr nga strategu Shpëtim Duro triumfoi me rezultatin minimal 1:0 falë golit të shënuar nga sulmuesi 20-vjeçar Hristijan Maleski gjatë pjesës së parë. Për dallim nga Struga Trim Lum, skuadra e FC Shkupit dështoi sërish të marrë pikët e plota, këtë herë në transfertën në Strumicë përballë Akademia Pandev. 1:1 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi, që u zhvillua mes shumë tensioneve.

Sileksi edhe njëherë tjetër triumfoi pa shumë probleme në Prilep përballë Pobedës, këtë herë me një rezultat edhe më bindës.

Të besuarit e trajnerit Gorazd Mihajllov triumfuan me rezultatin 5:1, teksa rrugën e fitores për skuadrën nga Kratova në këtë ndeshje, e hapi mesfushori shqiptarë Hamza Ramani. Përveç tij për Sileksin realizuan edhe Serafimovski, Manasievski dhe Gjorgievski, i cili realizoi dy gola, derisa për Pobedën golin e nderit e realizoi Jovanov në fillimin e pjesës së dytë.

Fitore minimale në debutimin e trajnerit Goran Simov, regjistroi Makedonija GJ.P, skuadër kjo që triumfoi minimalisht 1:0 në transfertën në Kavadar përballë Tikveshit. Golin e vetëm, të vlefshëm 3 pikë për skuadrën nga Gjorçe Petrovi, e realizoi Samir Fazli në minutën e 67-të.

Java e 24-të mbyllet të dielën me ndeshjen midis Skopjes dhe Shkëndijës. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply