Voska Sport në kontakte me Blendi Shkëmbin!

Voska Sport ende nuk e ka zgjidhur çështjen e trajnerit, edhe pse realisht deri më tani ka qenë në bisedime me shumë emra, si nga vendi, ashtu edhe nga rajoni. Së fundmi në skenë ka dalë edhe emri i Bledi Shkëmbit, kapitenit legjendarë të Skënderbeut, i cili së fundmi punën e trajnerit e kishte bërë te skuadra e Teutës në Superligën shqiptare, njofton “infOSport.mk”.

Shkëmbi aktualisht është i lirë, palët janë futur në bisedime, ashtu që mbetet të shihet nëse palët do gjejnë gjuhë të përbashkët dhe Shkëmbi, pas kampionatit shqiptarë dhe atij të Kosovës, të provoj veten edhe në elitën e futbollit të Maqedonisë.

Kujtojmë, përveç Teutës që e ka udhëhequr në dy periudha të ndryshme dhe Dinamo Tiranës, Shkëmbi gjithashtu kishte udhëhequr edhe skuadrat kosovare të Lirisë së Prizrenit dhe Ballkanin e Suharrekës.

Mirëpo, Shkëmbi nuk është emri i vetëm, me të cilin drejtuesit e Voska Sport janë në bisedime. Informacione të besueshme pranë “infOSport.mk”, bëjnë me dije se Voska Sport në sezonin e ri mund të drejtohet edhe nga strategu malazez, Miljan Radoviç.

Strategu 46-vjeçar së fundmi kishte drejtuar skuadrën shqiptare të Deçiç në Mal të Zi, aty ku gjithashtu kishte udhëhequr edhe ekipin e OFK Grbalj dhe FK Sutjeska, ndërsa gjatë viteve 2018 dhe 2019 kishte drejtuar skuadrat nga Indonesia, DSK Shivajians, Pune dhe Persib Bandung.

Me malazezin mësojmë se bisedimet janë ka fundi dhe nëse precizohen edhe disa detaje të vogla, shumë lehtë mund të ndodh që Radoviç sezonin e ri në Ligën e Parë të udhëheq skuadrën e Voska Sport, edhe pse nuk përjashtohet edhe mundësia e parë, ajo me Bledi Shkëmbin. (infOSport.mk)

Leave a Reply