Komuna e Tetovës: Stadiumi i qytetit do të përdoret vetëm për ndeshjet e LPFMV dhe evente të rëndësishme sportive

Komuna e Tetovës ka dalë me një kumtesë lidhur me reagimin e djeshëm nga ana e KF Teteks, që kinse komuna në fjalë nuk ka lejuar këtë skuadër, por edhe KFF Ljuboten që të zhvillojnë ndeshjet e tyre në stadiumin e qytetit.

“Komuna e Tetovës përherë ka vepruar me transparencë dhe përgjegjësi kur kanë qenë në pyetje çështje të bashkëjetesës në mes komuniteteve. Në këtë drejtim, veprimi i dy klubeve futbolistike në lidhje me shfrytëzimin e terreneve sportive në qytetin tonë është një shkelje e qartë e kësaj tradite të transparencës dhe përgjegjësisë.

Reagimi i tyre i fundit ishte tërësisht i panevojshëm dhe i paqëndrueshëm. Ka pasur një takim me përfaqësues të klubeve dhe është arritur një konsensus i qartë. Stadiumi i qytetit duhet të përdoret vetëm për ndeshjet e futbollit në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut dhe ndeshjet ndërkombëtare të futbollit, por edhe për ndeshjet me rëndësi të veçantë, si gjysmëfinalet dhe finalet e Kupës së Maqedonisë.

Nga ky aspekt, komuna e Tetovës është e vendosur të garantojë që ky stadium të pajiset me të gjitha kushtet dhe standardet e nevojshme, si një objekt modern dhe funksional që do të plotësojë të gjitha kërkesat e një arene të nivelit të lartë sportiv në qytetin tonë.

Për skuadrat që performojnë në ligat e ulëta, komuna ka një qëndrim të qartë: do të rregullohen fusha të tjera të pajisura me të gjitha kushtet e nevojshme për gara sportive. Kështu një fushë do të ndërtohet pranë Qendrës Sportive në qytet dhe një tjetër në fshatin Saraqinë. Të dy terrenet do të pajisen me infrastrukturën e nevojshme, duke përfshirë dhomë zhveshjeje për ekipet dhe zyra për klubet.

Me këto hapa, Komuna e Tetovës konfirmon përkushtimin e saj për promovimin e sportit në nivel të lartë, transparencë dhe drejtësi për të gjitha komunitetet që jetojnë në qytetin tonë.”.

Leave a Reply