Nga portier në punonjës në market e deri në nivelet e larta të gazetarisë sportive, jeta dhe sfidat e Faton Zylbeharit

Pikëpamjet e jashtme në shumicën e rasteve na japin pasqyrë të “rrejshme” apo te gabuar, duke na lënë në shumë raste të futemi në paragjykime të ndryshme, pasi çdo njeri posedon atë brendësinë e tij, qoftë ajo  lumturi, zhgënjim, gëzim apo dëshprim, por jo që gjithmonë të njejtën mund ta shfaq edhe para të tjerëve.

Kur sheh një personalitet të sportit apo konkretisht të futbollit që është i dalur nga Strimnica e Tetovës së Maqedonisë së Veriut nën shoqërimin e krerëve të kësaj “lëmije” si Infantino, Ceferin, Ronaldo, Messi, Figo, Buffon, Ramos e shumë emra të njohur tjerë të botës së futbollit, është krenari dhe histori.

Të prirur për të parë vetëm suksesin dhe jo arritjen deri aty dhe sfidat që fshihen pas saj, rrallë e kush mund të dijë edhe jetën e gazetarit sportiv, Faton Zylbahari dhe njëkohësisht tashmë 10 vite e më shumë, bartës edhe i dy posteve shumë të rëndësishme si zëdhënës i Federatës së futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe Shkëndjjës së Tetovës.

I ftuar së fundmi në emisionin “Libero” në televizionin ATV, Zylbehari ndau një pjesë shumë të veçant të jetës së tij, ku tregon se si arriti të bëhet një gazetar sportiv.

Ëndrra e tij si një i ri për tu bërë një portier i madh, ngeli vetëm ëndërr, pasi Zoti i kishte rezervuar diçka më të madhe se ajo që ai vet e kishte menduar.

Faton Zylbehari sqaron se fillimisht kishte pretendime për tu bërë një portier i Shkëndijës, pasi ndër vite ishte pjesë e grupmoshave të reja të kësaj skuadre dhe nga mosha 16 vjeçare bëhet pjesë e ekipit të parë. Në momentin kur ai ishte gati për të marrë pozicion në ekipin e seniorëve të kuqezinjëve, i ndodh një fat në fatkeqësi nëse mund ta quajmë ashtu, duke mbetur jasht ekipit dhe më pas edhe të largohet përfundimisht nga futbolli, ku padrejtësive për vend në ekip i’u përgjigj me hapin e parë të guximshëm duke braktis atë që e quante dashuri.

Babain e humbur që në fëmijëri dhe në kohën kur lë pas futbollin, gjen një punë për tu kujdesur për familjen. Këtu pikërisht nis sfida, që ia ndron kahjen jetës së tij, por që atehërë ishte një fatkeqësi e rëndë.

Zëri i tashëm i federatës së futbollit dhe i Shkëndijës, aso kohe filloi me punë në një market me një pagë 150 euro. Fatkeqësia ishte kur Zylbehari këput dy gishtat e dorës së majtë në një makinë të mishit në punën që punonte, ku pas saj detyrohet të lë edhe këtë punë.

Në kërkim të një pune “më të lehtë” i propozohet një punë në televizionin lokal të Tetovës, Koha si komentator futbolli. Për një kohë të shkurtë, Zylbehari tërheq vëmendjen me lajmet dhe komentimet e tij në sferën e sportit, që më vonë të transferohet në TV Alsat.

Pjesa tjetër është histori në vete. Ndër vite Zylbehari arriti të thyej shumë tabu në gazetarinë sportive në vendin tonë dhe njëri nga më të përfolurit për profesonalizmin e tij, me gjëra që të tjerët nuk arrinin ti bënin, nuk kishin guximin apo edhe hezitonin. Tetovari bëhet zëdhënësi i parë shqiptar i Federatës së futbollit të Maqedonisë, madje edhe i pari nga vendi jonë që shkon si zyrtar në Kampionatin Europian, me Maqedoninë që ishte pjesë e Euro 2020.

Zylbehari pas vetes ka ndeshje zyrtare ndaj përfaqësueseve të forta si Gjermania, Italia, Spanja, Portugalia, Ukraina, Holanda e shumë të tjera si dhe në nivel klubesh si Milani, Tottenhami, Salzburgu, Genti e të tjera, duke mos harruar takime të rëndësishme për futbollin me krerë të këtij sporti si Infantino e Ceferin dhe madje edhe pjesëmarrjen e tij në ceremoninë gala të “Globe Soccer Awards” në Dubai në vitin 2015 ku ishte i përfshirë në mesin e yjeve si Messi, Ronaldo, Figo e shumë të tjerë.

Në përgjithësi, një karrierë shumë e pasur, por pa shumë zhurmë, me më shumë punë në heshtje, përderisa histori e veçant për tu ndëgjuar për një shqiptar aq modest, që duke qenë “asgjë” ka arritur ti prek majat me punën e tij. Faton Zylbehari është shembull për tu ndjekur, nga ëndrra për portier në punonjës marketi e në fund në një vij me udhëheqësit e futbollit.

Leave a Reply