Liga e Kombeve, vashat e Kosovës sërish mundin ato të Maqedonisë

Përfaqësuesja futbollistike e Maqedonisë në futboll në konkurrencë të femrave ka pësuar edhe disfatën e dytë brenda pak ditëve nga përfaqësuesja e Kosovës, ndeshje kjo e vlefshme për Ligën “C” të Kombeve, njofton “infOSport.mk”.

Pas fitores 2:0 në ndeshjen e parë në Shkup, sot të përzgjedhurat e Anneli Andersen, shënuan fitore 3:1, falë një pjese të parë të shkëlqyer, kur edhe shënuan që të tre golat.

Vetëm pas 7 minutave lojë epërsinë Kosovës ia siguroi Donjeta Halilaj, e cila me saktësi ekzekutoi penalltinë e fituar paraprakisht nga Memeti. Po kaq minuta më vonë, Kosova pati një rast tjetër, të cilin e konkretizoj përmes Erëleta Memetit për 2:0.

“Dardanet” me intensitet te lartë të lojës vazhduan paraqitjen edhe më tutje, kështu që në minutën e 34-të Kaltrina Biqkaj shënoi pas një depërtimi vetjak, duke thelluar epërsinë në 3:0.

Në pjesën e dytë futbollistet e përfaqësueses së Kosovës luajtën me më shumë komoditet për shkak të rezultatit të thellë që kishin siguruar në pjesën e parë. Ndërkohë një minutë para se të përfundojë koha e rregullt, Maqedonia e Veriut shënoi golin e ngushëllimit përmes Olivera Cokleskas.

Gjithsesi, ky gol ishte i vonshëm për mysafiret që të riktheheshin në lojë dhe kësisoj ndeshja u përmbyll me rezultat 3:1.

Që të dyja përfaqësueset rrugëtimin e tyre do ta vazhdojnë në dhjetor, kur do të përballen me Bullgarinë.

Fillimisht vashat dardane me 01 dhjetor do të mirëpresin Bullgarinë, në një ndeshje që do të jetë përcaktuese për pozitën e parë në grup dhe për promovim në Ligën B, derisa me 05 dhjetor Maqedonia do të jetë nikoqire e Bullgarisë, me të cilën ndeshje edhe zyrtarisht do të mbyllen ndeshjet e grupit 5 në Ligën “C” të Kombeve, aty ku aktualisht Kosova ka dy fitore dhe një barazim dhe udhëheq kryesimin me 7 pikë të fituara. (infOSport.mk)

Leave a Reply