Antalia, Struga Trim Lum mundet nga skuadra elitare ruse e Orenburg

Kampionët e Struga Trim Lum ndeshjet kontrolluese në Antalia të Turqisë i kanë nisur me disfatë, pasi sot u mundën 5:1 nga skuadra e Orenburg, pjesë e elitës së futbollit rus.

Ndeshja e zhvilluar në “Calista Luxory Resort Sports Center” prodhoi një pjesë të parë shumë të mirë për skuadrën strugane, që në disa raste rrezikoi dukshëm portën kundërshtare, kryesisht përmes dyshes sulmuese, Besart Ibraimi dhe Bassirou Compaore, të cilët vazhdimisht shërbeheshin me topa nga ana e kapitenit Bunjamin Shabani.

Pikërisht një lëvizje e bukur e kapitenit Shabani para zonës dhe pasimi me kohë për Ibraimin në minutën e 23-të, bënë që skuadra e Struga Trim Lum të avansojë e para në këtë përballje.

Orenburg u kundërpërgjigjë në minutën e 30-të, kur pas një pakujdesie në krahun e djathtë të mbrojtjes strugane, Sivakov barazoi në 1:1.

Edhe pas këtij goli, skuadra e Struga Trim Lum vazhdoi të bëjë mirë në fushën e blertë, duke u kanosur sërish përmes dyshes Ibraimi-Compaore, teksa raste për të shënuar në këtë periudhë patën edhe dy futbollistët e repartit mbrojtës, Hadis Tairi dhe Besart Krivanjeva.

Mirëpo në futboll kur rastet nuk shfrytëzohen, atëherë ndëshkohesh. Kështu ndodhi edhe me të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro, edhe atë në minutën e fundit të pjesës së parë, kur sërish nga krahu i djathtë i mbrojtjes, Orenburg shënoi edhe golin e dytë, këtë herë me autorë Vorobjev.

Pjesa e dytë nisi me një rast të shkëlqyeshëm për Ibraimin, mirëpo i njëjti duke refuzuar të bashkëpunojë me Radeskin, goditi vetëm portierin kundërshtarë, i cili në ato momente mjaft mirë kishte mbuluar këndin nga i cili tentoi të shënonte bomberi nga Kërçova.

Pasoi një periudhë e lojës, ku në qendër të vëmendjes doli të jetë arbitri kryesor, që në dy raste ndëshkoi ekipin strugan duke treguar penalti shumë të dyshimta, e që u finalizuan me gola nga ana e futbollistëve kundërshtarë Stolbov dhe Obukhov.

Mes këtyre dy penaltive, një gol tjetër realizoi edhe argjentinasi Perez.

Trajneri Duro në pjesën e dytë ju dha mundësinë edhe disa prej futbollistëve na bankinë, përfshirë këtu edhe portierin Kristijan Kitanovski.

Skuadra e Struga Trim Lum prej nesër vazhdon me përgatitjet e zakonshme, derisa ndeshjen e dytë kjo skuadër do ta zhvillojë me 27 janar kundër FC Arka Gdynia nga Polonia.


ORENBURG – STRUGA TRIM LUM 5:1

Golashënues:
Orenburg: Sivakov M. (30′), Vorobyev D. (45′), Stolbov S. (51′ pen.), Perez M. (56′), Obukhov V. (62′ pen.)
Struga Trim Lum: Besart Ibraimi (23′)

FORMACIONI STARTUES:
Struga Trim Lum; V. Qoshevski, E. Maliqi, V. Krivanjeva, S. Radiç, H. Tairi, B. Shabani, B. Bojku, A.Kasami, F. Tairi, B. Ibraimi, B. Compaore


 

Leave a Reply