Futsal Shkupi kampion, pa sponsor dhe pa kushte

Futsall Shkupi në fundjavën që lamë pas siguroi titullin e kampionit për sezonin 2018/19 në futbollin elitar që luhet në palestër. Fitorja 4:3 në parketin e rivalit direkt për kreu Velesin, solli titullin e dytë në histori për futsall Shkupin katër xhiro para mbylljes së kampionatit.

“Gjëja më e bukur kur shpallesh kampion është kur e bën atë në vendin e rivalëve kryesor”, tha Arsim Fazliu, kapiten i Futsal Shkupit në emisionin Sportmania.

Mirëpo edhe pse janë më të mirët dhe dominojnë futbollin në palestër, financat dhe sponsorët vazhdojnë të jenë problemi kryesor te Shkupi.

“Lëre rrogat, por nuk i ke as kushtet elementare. Paguajmë palestër që i zhvillon ndeshjet, ndërsa edhe atë palestër që e kemi në stërvitje nuk e kemi në orarin që duhet ta kemi, pasi një skuadre kampione i duhet më së paku një orë e gjys ose dy stërvitje”, shprehet Besnik Shabani, zëdhënës i Futsal Shkupit

“Kemi rroga minimale që janë, por na duhen më shumë. Na nevojiten sponsor, na duhen financa, na nevojiten kushte për të cilat kemi nevojë shumë”, tha kapiteni i bardhekaltërëve.

Futsal Shkupi, titullin e kampionit do ta pranojë në fillim të muajit maj në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Zhelezarecit. Ndërkohë “bardhekaltërit” nesër do të luajn në çerekfinale të Kupës së Maqedonisë kundër Cikos, me ndeshjen që do të zhvillohet në palestrën “Enver Idrizi” nga ora 21:00. Aziz Sahiti /SHENJA/

Leave a Reply