Super Struga Trim Lum nga Lituania rikthehet me barazim pa gola

Debutim pozitiv në kualifikueset e Ligës së Kampionëve për Struga Trim Lum, që nga Lituania rikthehet me barazim pa gola në ndeshjen kundër 10 herë kampionëve të Lituanisë, Zhalgiris, njofton “infOSport.mk”.

Në një ndeshje mjaft të luftuar që nga fillimi e deri në fund, skuadra strugane doli të jetë një kundërshtarë i denjtë, madje në disa momente edhe më i mirë se Zhalgiris, skuadër kjo që portën e Qoshevskit seriozisht e rrezikoi vetëm në dy raste.

Kjo erdhi edhe falë lojës së shkëlqyer në mbrojtjen e Struga Trim Lum, aty ku që nga fillimi e deri në fund komanduan, Neziri, Radiç dhe Krivanjeva. Kjo treshe kreu punën në mënyrën më të mirë, duke i dhënë vetëbesim edhe portierit Qoshevski, që ishte një ndër më të mirët në fushën me barë sintetik në Vilnius.

Në një fushë të tillë, në të cilën futbollistët e Struga Trim Lum nuk ishin mësuar të luajnë, me sukses i’a doli edhe mesfusha aty ku besimin e trajnerit Duro e morrën Maliqi dhe Zguro në krahë, si dhe kapiteni Shabani dhe Bojku në qendër.

Treshja në sulm përbëhej nga Ibraimi, Radeski dhe Mazrekaj, që shpeshherë dinte të luante më i tërhequr, duke ndihmuar vazhdimisht edhe mesfushën strugane, që nuk linte shumë hapësira për skuadrën kundërshtare, që edhe përkundër ndryshimeve të bëra në pjesën e dytë, nuk arriti të gjejë rrjetën e Qoshevskit.

Rastin më të mirë të takimit, Struga Trim Lum e kishte në minutën e 36-të përmes kapitenit Shabani, mirëpo ky i fundit nuk arriti të shënojë nga afërsia.

Shabani i rrezikshëm u shfaq edhe në minutën e 53-të, mirëpo kapiteni strugan ngeci në sprintin final, duke lejuar që të intervenojë mbrojtja vendase.

Besart Ibraimi në minutën e 64-të, tentoi me një goditje nga vija e 16-të metërshit, mirëpo goditja e tij u devijua në rivënie nga këndi.

Ibraimi në minutën e 78-të braktisi lojën, duke i lënë vendin Valentin Koçoskit. Ky i fundit në minutën e 86-të pati mundësinë e artë për të shënuar në rrjetën e vendasve, mirëpo edhe përkundër hapësirës së mjaftueshme dhe pozitës së volitshme, nuk arriti të shënojë me armën e tij të fuqishme, këmbën e majtë, duke goditur vetëm jashtë kuadrantit.

Deri në fund të takimit nuk pati ndonjë rast që mund të veçohej, ashtu që nga Lituania Struga Trim Lum rikthehet me një rezultat pozitiv, me shpresë se një javë më vonë në Ohër me pak fat do ti gëzohen kualifikimit.

Leave a Reply