Riorganizim i fuqishëm i Vëllazërimit, synimi kryesor Liga e Dytë

Vëllazërimi i Kërçovës po riorganizohet fuqishëm për sezonin pranveror në Ligën e Tretë – Perëndim. Drejtuesit e rinj të kësaj skuadre me emër, që në të kaluarën kishte luajtur edhe në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, kanë bërë një punë të shkëlqyer gjatë kësaj merkatoje.

Ata në rradhët e tyre kanë arritur të sjellin emra shumë të njohur, që të kaluarën e tyre e kishin të lidhur ngushtë me elitën e futbollit.

Të tillë janë emrat e Lavdrim Skenderit, Mërgim Danit, Murat Adilit, Mihajlo Jakimoskit, ndërsa gjithashtu pjesë e skuadrës së njohur nga Kërçova do të jenë edhe Urim Bajrami, Taulant Vllashi dhe Berat Ismaili, i cili te Vëllazërimi rikthehet pas plotë 6 viteve.

Por kjo nuk është e tëra, pasi skuadra ka menduar edhe për trajnerin e ri, që do ti udhëheq në stinorin pranveror. Timonin e Vëllazërimit do ta marrë një emër i njohur në futbollin vendor, Bujar Islami, i cili pjesën më të madhe të karrierës së tij në rolin e trajnerit, apo ndihmësit e kishte luajtur te Renova.

Me Bujar Islamin në krye, Vëllazërimi beson fuqishëm rikthimin në Ligën e Dytë, duke pasur parasysh se në stinorin vjeshtorë u ndal në pozitën e parë në Ligën e Tretë – Perëndim. Vëllazërimi pas 10 xhirove të para, kishte tubuar 28 pikë, 7 më shumë se Drita e Bogovinës, që mban pozitën e dytë.

Pikërisht skuadra nga Bogovina do të jetë kundërshtari i tyre i parë në ndeshjen e parë të stinorit pranveror, që starton me datë 3 mars.

Kujtojmë, skuadra kërçovare edhe edicionin e kaluar ishte shumë pranë rikthimit në Ligën e Dytë, mirëpo ishin mundur në në ndeshjen e balotazhit kundër Bashkimit të Kumanovës, skuadër kjo që në fund iu gëzua rikthimit në Ligën e Dytë. (Murat ZENKU)

Leave a Reply