Dyshja Jahja-Iljazi largohen nga Voska Sport!?

Voska Sport sezonin debutues në Ligën e Parë e mbylli me sukses, pasi skuadra arriti objektivin, mbijetesën në mesin e më të mirëve në futbollin vendor. Ishte ky njëherit edhe synimi kryesor i skuadrës shqiptare nga Ohri, që madje arriti të shkruaj histori, duke luajtur edhe në finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë.

Aty Voska Sport u mund nga Tikveshi, dhe kjo ndoshta zhgënjeu drejtuesit e kësaj skuadre, që për momentin janë shumë të qetë, kur janë në pyetje prurjet e reja, edhe pse tashmë nga kjo skuadër janë larguar disa futbollistë.

Edhe zyrtarisht pjesë e kësaj skuadre nuk do të jetë malazezi, Nikolla Stijepoviç, i cili vendosi të vazhdojë karrierën në Kosovë, duke nënshkruar me FC Suharekën, ndërsa bashkë me të me shumë gjasa do të largohen edhe portieri, Kostadin Zahov, që pritet të përforcojë Besën e Dobërdollit, por edhe goleadori, Aleksa Marushiq, i cili mund të përfundojë në formë huazimi te kampionët e Struga Trim Lum.

E paqartë është gjithashtu edhe e ardhmja e dyshes, Abdylhadi Jahja dhe Ardit Iljazit, të cilët skuadrës së Voska Sport iu bashkuan gjatë janarit. Kontrata e tyre ishte 6 muajshe, dhe që të dy janë në dilemë nëse do vazhdojnë me këtë skuadër, dhe se sërish mund të ndryshojnë skuadër.

Informacione të besueshme pranë “infOSport.mk”, bëjnë me dije se në adresë të dy futbollistëve tashmë kanë arritur disa oferta dhe se të njëjtat po shqyrtohen.

Në adresë të Iljazit, madje ka edhe disa oferta jashtë Maqedonisë, për të cilat është duke punuar vetë menaxheri i futbollistit 23-vjeçar, i cili gjatë karrierës së tij me FC Shkupin në vitin 2021 ishte shpallur kampion.

Ndryshe i njëjti kishte provuar veten të luaj edhe me Gostivarin në vendin tonë, teksa në Shqipëri kishte luajtur me Erzenin dhe Teutën. (infOSport.mk)

Leave a Reply