Demir Imeri pasi ka mbyllur zyrtarisht aventurën e tij me FC Shkupin, te e cila skuadër edicionin e kaluar rezultoi të jetë golashënuesi më i mirë i skuadrës, tashmë është në kërkim të sfidave të reja.
Imeri, me petkun e skuadrës nga Çairi edicionin e kaluar në 28 ndeshje realizoi 7 gola. Ai edhe pse jo në rolin e sulmuesit, në fund rezultoi të jetë goleadori i skuadrës, mirëpo pas situatës së krijuar dhe shumë ndryshimeve, vendosi të marrë dokumentet në duar, me qëllim që të jetë i lirë për të vendosur për të ardhmen e tij.
Informacione të afërta me “infOSport.mk” bëjnë me dije se Imeri me shumë gjasa do të vazhdojë karrierën në futbollin vendor, kjo për arsye familjare.
Kujtojmë, Imeri në Ligën e Parë numëron 115 ndeshje dhe 24 gola.
Ai në futbollin elitar të Maqedonisë ka veshur fanellat e skuadrave si, Rabotniçki, Shkëndija, Horizont Turnova, Renova dhe FC Shkupi, ndërsa gjithashtu kishte bërë karrierë edhe jashtë vendit, duke luajtur në Shqipëri, Finlandë, Maltë, Ukrainë, Kazakistan dhe Uzbekistan. (infOSport.mk)
