Përsëri ai, përsëri Messi, midis Bernabeu feston golin e 500-të (VIDEO)

Lionel Messi dhe askush tjetër. Është pikërisht ylli argjentinas ai i cili vendosi “El Clasicon” sonte në Santiago Bernabeu, edhe atë në minutat shtesë të takimit.

Magjistari Lionel Messi realizoi dy gola sonte në fitoren 3:2 të Barcelonës ndaj Realit të Madridit, skuadër kjo e cila e para avansoi sonte me golin e shënuar nga Kasemiro në minutën e 28-të.

Mirëpo kur në skuadër ke një gjeni, siç është Lionel Messi atëherë punët janë më të lehta. Pikërisht Messi vetëm 5 minuta pas golit të shënuar nga Kasemiro arriti që të barazojë shifrat në 1:1, me të cilat shifra u mbyll edhe pjesa e parë e këtij takimi.

Pjesa e dytë ishte edhe më e pasuruar me gola dhe raste shënimi nga ana e të dyja skuadrave, ku sërish fjalën kryesore e pati Messi.

Por i pari që shënoi në këtë pjesë ishte Ivan Rakitiç, i cili lëshoi një predhë të fortë në minutën e 73-të, duke kaluar për herë të parë në epërsi Barcelonën në këtë përballje.

Hames Rodrigez në minutën e 86-të barazoi shifrat në 2:2 në ato momente kur ndoshta një gjë të tillë nuk prisnin edhe tifozët më të flaktë të Realit të Madridit, sidomos pas përjashtimit me karton të kuq të  Serhio Ramos në minutën e 77-të sis dhe atyre rasteve të pashfrytëzuara nga ana e futbollistëve të Barcelonës, të cilët thjeshtë dominuan në atë pjesë, që në fund Messi me golin e tij të 500 në karrierë të vulos fitoren e Barcelonës në minutën e dytë shtesë të takimit.

Ishte ky goli numër 23 për Messin në 34 përballje kundër Realit të Madridit, me siguri gol që një kohë të gjatë do e mbajë mend, pasi asnjëherë më parë nuk kishte shënuar në çaste të këtilla delikate, si sonte.

Barcelona falë këtij triumfi midis Santiago Bernabeu arriti që të barazohet me pikë me Realin e Madridit, që të dyja skuadrat nga 75 pikë, mirëpo duke potencuar se “mbretërit” kanë edhe një ndeshje më pak.

Leave a Reply