Ajaksi i mban leksion futbolli  Lionit (VIDEO)

Futbollistët e Ajaksit i kanë mbajtur leksion futbolli Lionit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Liga Evropa, duke mundur francezët me rezultatin 4:1, edhe pse ky rezultat mund të ishte edhe më i thellë në rast se futbollistët holandez ishin më të gjindshëm para portierit Lopes, njofton “infOSport.mk”.

Ajaksi edhe sonte na rikujtoi në ato vite të arta që kishte kjo skuadër në fillimet e vitit 90-të, duke siguruar thuajse finalen e madhe që në ndeshjen e parë.

Bertrand Traore në minutën e 25-të shënoi golin e parë për Ajaksin në këtë përballje të zhvilluar në “Amsterdam Arena”, derisa vetëm 9 minuta më pas Kasper Dolberg realizoi golin e dytë, duke shënuar në Liga Evropa me vetëm 19 vjet e 209-ditë.

Ishin këto dy golat e shënuar gjatë pjesës së parë, ndërsa vetëm pas 4 minutave lojë në pjesën e dytë Junes realizoi edhe golin e tretë për vendasit e Ajaksit.

Shpresat e Lionit i riktheu Valbuena me golin e realizuar në minutën e 66-të, ndërkohë epërsinë prej tre golave për holandezët e riktheu Bertrand Traore, një futbollist i cili e nisi dhe përmbylli serinë e golave në këtë ndeshje, edhe pse Ajaksi me rastet e krijuara në këtë ndeshje mund së paku të shënonte edhe dy apo tre gola të tjerë.

Në gjysmëfinalen e dytë që në program është nesër mbrëma Selta Vigo do të mirëpret Mançester Junajtedin.

Leave a Reply