Armando Sadiku larg Zvicrës

E ardhmja e Armando Sadikut do të jetë larg Zvicrës. Një gjë të tillë ka pohuar Tomas Bikel, drejtori sportiv i Cyrihut, klubit që zotëron kartonin e sulmuesit shqiptar.

Gjatë ditëve të fundit është përfolur vazhdimisht për interesimin e klubeve zvicerane për të blerë sulmuesin shqiptar. Bazeli dhe St. Galen dukeshin klubet më të interesuara, ndërsa Lugano, meqë zotëron 25% të kartonit të tij, nuk tërhiqet nga ideja për ta mbajtur në huazim, pasi synon të përfitojë financiarisht nga ai.

Megjithatë Bikel duket i sigurt se Sadiku do të largohet nga Zvicra, pasi kjo është edhe dëshira e vetë sulmuesit shqiptar. “Ai ka ambicie për t’u larguar nga Zvicra dhe ne nuk do të bëhemi pengesë”, theksoi ai, duke konfirmuar idenë se tashmë palët do të ndahen.

Edhe verën e kaluar, pas rënies së Cyrihut në kategorinë e dytë, kishte interesim të madh për shërbimet e Sadikut, për shërbimet e të cilit drejtuesit e klubit zviceran vendosën një shumë të lartë prej 7 milion eurosh.

Ai me Cyrihun luajti  në fazën në grupe të Ligës së Europës në pjesën e parë të sezonit, që më pas të transferohet te skuadra e  Luganos në Superligën zvicerane.

Sulmuesi “kuq e zi” me këtë skuadër dhe me Tramexanin si trajner duket se u rilind sërish, duke shkëlqyer në ndeshjet e Luganos, për të cilën në 14 ndeshje ka shënuar 9 gola.

Leave a Reply