Një armen për mbrojtjen e Shkëndijës

Armeni Taron Voskanyan po vëzhgohet nga ana e drejtuesve të Shkëndijës, të cilët janë në kërkim të futbollistëve cilësor në repartin e mbrojtjes, njofton “infOSport.mk”.

Bëhet fjalë për një futbollist  24-vjeçar, prodhim i skuadrës së njohur armene të Pjunik Erevan, i cili së fundmi ishte pjesë e skuadrës qipriote të Karmiotissa. Ai kësaj skuadre iu bashkua korrikun e vitit të kaluar, ndërsa tashmë është një futbollist i lirë.

Pikërisht ky fakt e bënë më të kapshëm një transferim të tij në Tetovë, duke pasur parasysh se Shkëndija nuk do të paguante asnjë dëmshpërblim për shërbimet e Voskanyan, i cili mbron edhe ngjyrat e kombëtares së Armenisë.

Voskanyan sezonin e fundit me ekipin e Karmiotissa regjistroi 20 ndeshje kampionale dhe 8 në kuadër të Kupës.

Sukseset e tij më të mëdha Voskanyan i kishte arritur me skuadrën e Pjunik, me të cilën skuadër në sezonin 2014/2015 ishte shpallur kampion, tre vite rradhazi (2012/2013, 2013/2014, 2014/2015) kishte triumfuar në Kupën e Armenisë, ndërsa para se të largohej në drejtim të futbollit qipriot në sezonin 2015/2016, ai kishte ngritur lartë edhe Super Kupën.

Ai me përfaqësuesen e Armenisë kishte debutuar me 19 vjet, 8 muaj e 23 ditë, në ndeshjen miqësore të 14 nëntorit të vitit 2012-të, ndërsa që nga atëherë ai ka  zhvilluar plotë 20 ndeshje, përfshirë këtu edhe ndeshjen e fundit eliminatore të përafqësueses së Armenisë kundër Kazakistanit të zhvilluar me 26 mars të këtij viti.

Leave a Reply