Kush është Trakai, kundërshtari i rradhës i Shkëndijës në LE

Shkëndija të enjten arriti që të eliminojë Helsinkin dhe me meritë me rezultatin e përgjithshëm 4:2 të kualifikohet për në raundin e tretë eliminatorë të Liga Evropa. Atje skuadra tetovare do të përballet me skuadrën lituaneze në Trakai, që befasisht eliminoi suedezët e Norçepingut.

Po kush në realitet është skuadra e Trakai? Një pyetje të tillë menjëherë pas ndeshjes me Helsinkin në Finlandë e bënë vetë futbollistët e Shkëndijës, por njëkohësisht edhe tifozët e kësaj skuadre, që këtë vit po shkëlqen në ndeshjet evropiane.

Rikujtojmë Shkëndija në turin e parë eliminatorë në mënyrë mjaft bindëse, eliminoi skuadrën moldave të Daçias me rezultatin e përgjithshëm 7:0.

3:0 ishte rezultati i ndeshjes së parë në Strumicë, derisa në transfertë të përzgjehdurit e trajnerit Qatip Osmani shënuan fitore me rezultatin 4:0.

Të shkëlqyeshëm “kuqezinjtë” u treguan edhe në ndeshjen e turit të dytë, kur në Strumicë me rezultatin 3:1 mposhtën Helsinkin në ndeshjen e tyre të parë, që më pas barazimi 1:1 në Finlandë të ju sigurojë atyre kualifikimin për në raundin e tretë, ku do të përballen me ekipin e Trakait, një skuadër kjo që u u krijua në vitin 2005 me qëllimin e krijimit të kushteve për argëtim dhe sport për fëmijët, të rinjtë dhe shoqërinë në përgjithësi.

Në vitin 2006 klubi vendosi që stadiumin ta shtronte me barë artificial. Në atë vit, Trakai filloi të luajë në Ligën e tretë Lituaneze (LFF III Lyga), ndërsa në vitin 2008 ata luajtën në “Sunday Football League” të Lituanisë.

Në vitin 2010 Trakai u ngjit në Ligë të dytë (LFF II Lyga), ndërsa vetëm pas një viti, ata arritën suksesin e tyre më të madh historik, duke u ualifikuar për në Ligën e parë (LFF I Lyga), ku do renditeshin në fund të kampionatit në vendin e 3-të duke fituar gjithashtu mundësinë për të luajtur për të parën herë në Superligën e këtij vendi.

Që nga viti 2014, FK Trakai luan në Superligën Lituaneze (A Lyga). Në sezonin e tyre të parë, ata u renditën në vendin e 4-të.

Më 2 korrik të vitit 2015, FK Trakai debutoi në raundin kualifikues të UEFA Europa League kundër HB Torshavn të Ishujve Faroe, ku do fitonin me rezultatin e përgjithshëm 7:1. Trakai u eliminua në raundin e dytë kualifikues të Liga Europa përballë ekipit qipriot të Apollon Limassol, ndaj të cilëve nuk arriti që të marrë asnjë fitore. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në shtëpi ata barazuan pa gola, ndërkohë në ndeshjen e kthimit në Qipro, ata u mposhtën me rezultatin e thellë 4:0.

Ata sezonin e fundit dolën nënkampion të Lituanisë, duke u renditur menjëherë pas Zhalgiris, me ç’rast sërish fituan të drejtën për të luajtur në Liga Europa, ku veçmë arritën suksesin e tyre më të madh, duke u kualifikuar për në raundin e tretë.

Ata në raundin e parë eliminuan skocezët e Sent Xhonson, duke i mposhtur në të dyja ndeshjet (1:0, 2:1), që të pasojë më pas edhe eliminimi i Norçepingut përmes ruletit të penaltive, pasi të dyja ndeshjet kishin përfunduar me fitore përkatëse të skuadrave në terenin vendas, me rezultatin 2:1.

Leave a Reply