Besart Ibraimi 10 gola larg rekordit të Bazhe Ilijoskit

Besart Ibraimi pa dyshim se është një ndër sulmuesit më të mirë që ndonjëherë kanë luajtur në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Bomberi kërçovar i cili mbron ngjyrat e Shkëndijës  për dy vite me rradhë u shpall golashënuesi më i mirë në elitën e futbollit vendor, ndërsa gjatë pjesës së parë të edicionit 2017/2018, ai me 13 gola të shënuar renditet menjëherë pas shokut të tij të skuadrës, Ferhan Hasani, që ka të shënuar 17 gola.

Në sezonin 2015/2016 Besart Ibraimi në 32 ndeshje kampionale realizoi 25 gola, ndërsa në sezonin e ardhshëm 2016/2017 në 30 ndeshje kishte realizuar 20 gola.

Pra vetëm me Shkëndijën në dy sezone e gjysmë Ibraimi ka shënuar plotë 58 gola, ndërsa 62 gola të tjerë kishte realizuar si pjesë e Renovës (32), Napredokut (19) dhe Vëllazërimit (11).

Kësisoj  Ibraimi me 120 gola mban pozitën e tretë në renditjen e përgjithshme të golashënuesve në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, ndërsa para tij me 125 gola janë Zoran Boshkovski dhe Bazhe Ilijoski, i cili ka të shënuar 130 gola, transmeton “infOSport.mk”.

Megjithatë bazuar në moshën e këtij të fundit (33 vjeçar) dhe moshën aktuale të Besart Ibraimit (30 vjeç) si dhe formën në të cilën kalojnë dy sulmuesit shumë shpejt mund të ndodh që sulmuesin “kuq e zi” ta shohim në krye të renditjes së përjetshme.

Leave a Reply