Osmani: Shkëndija më shumë se klub futbolli, e ndjen ai që e ka veshur fanellën!

Shkëndija po marshon drejt rrugës për të fituar dy titujt, atë të kampionatit dhe Kupës. Mirëpo pas kësaj skuadre kaq të fuqishme me suksese të njëpasnjëshme, qëndron një legjendë. Ai është Qatip Osmani që në Tetovë e quajnë shkurtimisht ‘Qato’, i cili edhe si futbollist por edhe si trajner kishte suksese me Shkëndijën, ku edhe titullin e parë Kampion ua solli pikërisht ai në vitin 2012-të.

“Është thënë shpesh se Shkëndija është më shumë se një klub futbolli dhe këtë e kupton apo e ndjen secili që të paktën një herë e ka provuar këtë fanellë. Qyteti, tifozeria, lidhja emocionale që kanë të gjithë me klubin janë diçka unike dhe që shkon përtej futbollit. Ne që jemi këtu jemi me fat për të mbrojtur këto ngjyra dhe kjo na obligon gjithmonë të japim më shumë se tjerët për të nderuar emrin dhe ngjyrat që përfaqësojnë”, ka thënë trajneri i Shkëndijës Qatip Osmani në një intervistë për “Bota Sot”, i cili më tej tha: “Duke parë ecurinë tonë në kampionat dhe Kupë që është meritë e futbollistëve, patjetër të jemi të kënaqur. Për më shumë nga fakti se janë lojtarë që kemi zgjedhur ne si të duhurit për të realizuar qëllimet sezonale. Përforcime apo freskime do të dëshironte çdo skuadër, pasi kualiteti shtesë i shërben grupit, por për këtë sezon ne kemi atë që duam dhe kjo na udhëheq të paraqitemi me sukses”, ka përfunduar Qato.

Leave a Reply