PSZH gati 170 milionë euro për Milinkoviç-Saviçin e Lacios

Sikur nuk i mjaftojnë Nejmar, Mbape e Kavani, Paris Sen Zhermeni është duke përgatitur super ofertë prej 170 milionë eurosh për mesfushorin e Lacios, Sergej Milinkoviç-Saviç. Sipas “Korriere Dello Sport”, negociatat po drejtohen nga super menaxheri Jorge Mendes.

E përditshmja italiane ka shtuar se bardhekaltrit janë trullosur nga oferta, duke parë se vetëm për Nejmar dhe Mbape është paguar një shifër më e lartë. Për më tepër, kjo shumë do të ishte një rekord për futbollin italian. Një rekord që mbahet nga Paul Pogba, për të cilin Junajtedi pagoi 110 milionë euro.

PSZH po mendon të përforcojë mesfushën, duke parë se Thiago Motta është 35 vjeç, ndërsa Milinkovic-Savic ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha europiane. 22-vjeçari ka realizuar shtatë gola dhe ka dhënë 3 asiste në 21 ndeshje të luajtura me Lazio-n në këtë sezon. Kujtojmë që për Milinkoviç-Saviçin kanë shprehur interesim edhe Real Madridi e Mançester Siti.

Leave a Reply