Mançini trajner i Italisë, pritet vetëm zyrtarizimi

Roberto Mancini do të jetë trajneri i ri i Italisë. Mediat italiane raportojnë se tashmë mungon vetëm zyrtarizimi, që pritet të vijë pas 13 Majit, periudhë kur Mancini të ketë mbyllur sezonin me Zenit St, Peterburg në Rusi.

Ish trajneri i Interit ishte dje në Romë për t’u takuar me zyrtarët e Federatës Italiane të Futbollit, me të cilët ka arritur edhe akordin për t’u ulur në stolin e ‘Axurrëve’.

Debutimi i tij me kombëtaren pritet të vijë më 28 Maj, në miqësoren ndaj Arabisë Saudite, që do të luhet në St. Gallen të Zvicrës, ndërsa ndeshja e parë zyrtare do të jetë ajo e Nations League (Ligës së Kombeve), më 7 Shtator ndaj Polonisë.

Paraprakisht raportohet se akordi mes Mancinit dhe Federatës është arritur për një kontratë 4-vjeçare, deri në Botërorin e Katarit më 2022-shin, ndërsa paga do të jetë 5 milionë euro për atë dhe stafin e tij, plus bonuset mbi arritjen e objektivave. Bashkë me Mancinin, në stolin e Italisë do të ulen edhe bashkëpunëtorët e tij Gregucci e Salsano, si dhe përgatitësi atletik, Carminati.

Leave a Reply