Bostoni kualifikohet në finalen e Lindjes

Bostoni dhe Klivlendi do të luajnë në finalen e madhe të Konferencës së Lindjes në NBA ligën profesioniste amerikane, pasi “selltiksat” në ndeshjen e 5-të finale mundën Filadelfian me rezultatin 114:112, njofton “infOSport.mk”.

Pasi “kavaliersat” ishin kualifikuar në finalen e madhe pas dominimit të plotë ndaj Toronotos (4:0), “selltiksat” një gjë të tillë bënë me rezultatin 4:1 në serinë gjysmëfinale.

Filadelfia ishte shumë pranë rihapjes së serisë gjysmëfinale të Lindjes ndaj skuadrës më të titulluar të NBA, por Bostoni vendosi diktatin në vetëm 1 minutë duke prerë biletën e finales.

Në sfidën e pestë Filadelfia po kryesonte me 4 pikë avantazh deri në 1 minutë përpara rënies së sirenës por shpërthimi i Bostonit në sekondat e fundit bëri që sfida të shkonte në favor të “selltiksave”, të cilët triumfuan me rezultatin 114:112 dhe tashmë e shohin veten në finalen e Lindjes aty ku ndaj Klivlendit do të kenë avantazhin e parketit me dy sfidat e para që do të zhvillohen në “TD Garden”.

Në mungesë të yllit të skuadrës, Iirving, te Bostoni sërish spikati dyshja, Tatum-Broun, që realizuan 25, gjegjësisht 24 pikë.

Në anën tjetër te Filadelfia me lojë të mirë u dallua dyshja Emiid-Sariç, që realizuan nga  27 pikë secili.

Leave a Reply