Bazeli nënkampion, Albian Ajeti kampion i golave në Zvicër

Bazeli nënkampion, mirëpo në rradhët e veta skuadra e njohur zvicerane ka kampionin e golave të shënuar në Superligën zvicerane, Albian Ajetin, i cili është shpallur golashënuesi më i mirë i sezonit 2017/2018. Një e arritur e këtillë bënë që Albiani të shpresojë në një ftesë nga ana e trajnerit Vladimir Petkoviç për tu bërë pjesë e grupit përfundimtar të futbollistëve të përfaqësueses së Zvicrës që do të luajnë në KB “Rusi 2018”.

Vëllai i Arlind Ajetit, i cili ka zgjedhur të përfaqësojë Zvicrën, shënoi sot golin e tij të 17 sezonal në barazimin 2:2 të Bazelit ndaj Lucenës duke konfirmuar vendin e parë në renditjen e sulmuesve dhe duke treguar se e meriton ftesën nga Zvicra.

Në edicionet e mëparshme, “Këpucën e Artë” në Zvicër e kishte siguruar edhe Shkëlzen Gashi, për dy edicione radhazi, ndërsa në të kaluarën atë e kanë fituar edhe emra të mëdhenj të futbollit botëror, mes të cilëve edhe Otmar Hitzfeld.

Sa u përket ndeshjeve të tjera, protagonist ishte edhe Benjamin Kololli, në suksesin 3-0 të Lozanës ndaj St. Galen. Futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës shënoi dy gola në këtë sfidë, njërin nga pika e bardhë,  por këto gola nuk mjaftuan për ta ndihmuar klubin, i cili ka rënë zyrtarisht nga kategoria.

Për futbollistin kosovar, ka pasur oferta të shumta gjatë kohëve të fundit nga klubet më të njohura zvicerane që janë gati të firmosin me të, ashtu që Kolollin ka gjasa që edhe vitin tjetër ta shohim në elitën e futbollit zviceran.

Leave a Reply