Pas Ronaldos, edhe Bejll paralajmëroi largimin nga Reali!

Nata e festës së Real Madrid si duket po rikthehet në një natë lamtumirash nga futbollistët madrilen. Pas Kristiano Ronaldos, i cili dha i pari sinjalin e lamtumirës nga klubi spanjoll, është edhe Garet Bejll që ka paralajmëruar një gjë të tillë.

Edhe pse uellsiani doli të jetë heroi i “mbretërve” në finalen e madhe të së shtunës ndaj Liverpullit duke shënuar dy gola në fitoren 3:1, atij nuk i ka pëlqyer aspak mënyra se si është trajtuar nga trajneri Zinedin Zidan, i cili edhe sonte e inkuadroi atë në lojë vetëm nga bankina.

“Jam shumë i zhgënjyer nga fakti që nuk isha titullar sot. Mendoj se e meritoja këtë gjë. Por e dija që do të kisha një impakt pozitiv në ndeshje kur të futesha në fushë. Tani, gjatë verës, do të ulem bashkë me menaxherin tim dhe të shoh e të vendos atë që do të bëj”, – ishin fjalët e futbollistit uellsian pas përfundimit të ndeshjes.

Uellsiani në lojë u inkuadrua në minutën e 61-të, ndërsa vetëm pas 3 minutave jo të plota të kaluara në fushë realizoi një super gol me gërshërë, që rrallë herë shihet, sidomos në ndeshjet finale të një kompeticioni kaq të rëndësishëm,  ndërsa golin e dytë personal Bejll e realizoi në minutën e 83-të, kur duke iu falënderuar edhe portierit Karius vendosi rezultatin përfundimtarë, Real Madridi 3, Liverpulli 1. Bejll në këtë mënyrë u bë futbollisti i parë që erdhi nga bankina në një finale të Ligës së Kampionëve dhe shënoi dy gola.

Leave a Reply