Trafik kokaine, në Gjermani arrestohet një ish-futbollist i njohur shqiptarë

Një ish-futbollist i njohur shqiptar, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik, është arrestuar për trafik lëndësh narkotike dhe rrezikon 3 vite burg në Gjermani. Sipas informacioneve nga Gjermania, personi ën fjalë është përfshirë në marrëveshje të paligjshme gjatë periudhës të qëndrimit në Gjermani, edhe pse kishte udhëtuar drejt këtij vendi me ëndrrën për t’u bërë një trajner.

Nuk bëhet ende i ditur emri i ish-futbollistit, por jepet mosha e tij, 36-vjeç dhe fakti se është një ish-lojtar i njohur në vendin tonë. Ai është shfaqur sot para gjykatës, i akuzuar nga organet hetimore se ishte përfshirë në shitjen e një sasie prej 3 kg kokainë për shumën e 45 mijë eurove, si dhe në shitjen e 10 kg marijuana dhe 500 gr heroinë për një shumë prej 33500 eurosh. “Të jetoja në Gjermani ishte ëndrra ime”, ishin fjalët e tij para trupit gjykues.

Policia monitoronte prej kohësh zonën në lindje të Regensburg dhe kishte organizuar një operacion ku personat që mbaheshin në mbikëqyrje, përfshirë edhe ish-futbollistin shqiptar, kishin bërë negociata me oficerë policie për shitjen e 3 kg kokainë. Ai kishte shkuar edhe në Holandë për të inspektuar ‘mallin’, por më pas marrëveshja nuk ishte realizuar. Palët më pas kishin bërë negociata për shitjen e një sasie marijuane dhe heroine. Pasi transaksioni ishte kryer, policia i kishte vënë prangat personave të përfshirë. Roli i ish-futbollistit shqiptar kishte qenë të numëronte dhe ruante paratë.

Pas një seance gjyqësore me dyer të mbyllura prej rreth një ore e gjysmë dhe bisedimesh edhe me familjarët e dëshpëruar të tij, u arrit një marrëveshje. Gjykatësi i ofroi një marrëveshje prej 2 vitesh e gjysmë deri në tre vite burg për një dëshmi të plotë. Ai pranoi, duke treguar edhe emrat e bashkëpunëtorëve.

Gjatë seancës ish-futbollisti deklaroi se kishte hyrë në Gjermani me një vizë turistike për herë të parë në nëntor 2017. Atij i ishte ofruar mundësia që të punonte si trajner dhe i ishte premtuar edhe mundësia për të qëndruar në Gjermani. Si ‘falënderim’ ai kryente edhe punë të tjera për personin që i kishte ofruar këtë mundësi, mes të cilave edhe të punonte në restorantet e “shefit”.

“E dija që merrej edhe me drogë, por nuk kisha guxim të pyesja. Thjesht kërkoja një mundësi më të mirë jete për familjen time”, ishin fjalët e ish-futbollistit shqiptar mes lotëve. (vipsport.al)

Leave a Reply